Premiera e shfaqjes “Lepuri nga Poli i Veriut” sjell emocione dhe mesazhe edukative për fëmijët

Në Teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë u mbajt mbrëmë premiera e shfaqjes për fëmijë “Lepuri nga Poli i Veriut”, e cila u prit me entuziazëm nga fëmijët dhe prindërit që kishin mbushur sallën.
Shfaqja solli një atmosferë të ngrohtë festive dhe përcolli mesazhe të rëndësishme mbi miqësinë, solidaritetin dhe pranimin e dallimeve, duke ofruar një përvojë edukative dhe zbavitëse për të vegjlit.

Prodhimi artistik u realizua nga ekipi profesionist i teatrit, me autoren e tekstit Ulpianë Maloku dhe regjisorin Armend Zeqiri. Në role u shfaqën aktorët Muhamet Zeka, Besart Zeneli, Sindi Çitaku dhe Gani Morina.
Ekipit krijues iu bashkuan edhe Asistente e regjisë Xheraldina Krasniqi, kostumografja Adelinë Mziu, skenografi Artan Hasani, si dhe ekipi i ndriçimit Skender Latifi e Jeton Berisha. Punëtor skene ishte Arton Mustafa.
Shfaqja u vlerësua si një fillim i mbarë për programin e aktiviteteve kulturore të fundvitit në Podujevë. /Telegrafi/

















































