LAJMI I FUNDIT:

Prapa grilave dhe gjembave të Dubravës: Vendi ku numërohet çdo ditë e çdo moment (Foto)

Prapa grilave dhe gjembave të Dubravës: Vendi ku numërohet çdo ditë e çdo moment (Foto)

Lindin për të jetuar të lirë. Ajo çka dëshirojnë u vjen ndonjëherë në kundërshtim me atë çfarë në të vërtet u servohet - dhe jo gjithmonë me shije të ëmbël. Nga të bëmat e tyre, futen aty ku errësira është rrugëtimi i jetës - jo vetëm fizik, por shpirtëror. E, të bardhë janë vetëm çarçafët...

E tillë është Qendra Korrektuese e Dubravës. Ky emër e ky objekt i rrethuar me telat gjemborë, i dëgjuar e stërdëgjuar nga të gjithë, në momentin e parë të fut dridhmën dhe frikën si vend i “egër”.


Hyrja fillon nga pika zero, që quhet kontrolli i parë. Pastaj, të shkonte syri tek disa objekte, si ajo e Drejtorisë, Pavijoni D që shërbente për dëshmitar të mbrojtur, e tutje Pavijoni gjysmë i hapur ku vendosen të burgosurit me dënime më të shkurtra ose që janë në përfundim të vuajtjes së dënimit, si dhe të burgosurit me sjellje të mira që shiheshin tek punonin. Po në pjesën e parë të burgut ishte edhe sektori i armatimit dhe salla e vizitave ku familjarët vizitojnë të afërmit e tyre që i kanë brenda.

Në një kompleksi prej 150-hektarësh, në një sipërfaqe më të vogël është një mur i gjatë rrethues që të zgjon kureshtjen për të ditur se çfarë mund të ketë në brendësinë e tij?! E, për të hyrë, duhej të ndiqje disa procedura tjera të kontrollit nga ana e oficerëve të burgut.

MAGJISTRI NË SHKOLLË TË MESME…

Përtej këtij muri ishte një fushë shumë e madhe, vende-vende e mbjell. Përtej ishte një serë. Disa njerëz punonin tokën. Ishin të burgosurit nën mbikëqyrjen e oficerëve. Rrugëtimi vazhdonte për të hyrë në brendi të pavijoneve. Mirëpo, kjo nuk ishte aq e lehtë, pasi që duhej të kaloje edhe një tjetër mur rrethues, ku të priste një tjetër derë e hekurt, raporton Telegrafi.

Pas kësaj dere ishin disa objekte dhe fusha sportive, të gjitha të rrethuara me tela të lartë. Mirëpo, një objekt të tërhiqte vëmendjen, sepse nga aty dëgjohej muzika. Ishte kjo Shkolla e Mesme Teknike “Rudina”.

Brenda këtij objekti zhvilloheshin mësimet. Në një klasë zhvillohej ora e Informatikës. Aty hasëm në disa të burgosur. Njëri nga ta, që ishte nga Prishtina, tha se mësimet i vijon për t’i përkujtuar gjërat, meqë është magjistër i Farmacisë.

“Jam i dënuar për rrëmbim. Për 10 vite e kam dënimin, e këtu jam që pesë vite. Këtu humbi kohën. Mësimdhënësit janë të mirë nëse ke interesim”, tha ky i burgosur me gjysmë zëri, pasi nuk donte t’i pengonte shokët e tjerë që ndodheshin në klasë. “Jam në Pavijonin NR. 6, që është pavijon i avancuar dhe në të cilin i kam të gjitha të drejtat, si: sportive, trajnime, shkollën etj. S’mund të them se kushtet janë shumë të mira, sepse është burg, por në përgjithësi janë në rregull”.

Për veprën për të cilën akuzohet, magjistri thotë se është i pafajshëm.

“Në poliklinikën ku kam punuar, njerëzit që e kanë kryer këtë vepër janë prej vendit nga jam edhe unë. Kam qenë pronar i klinikës e për atë arsye jam akuzuar. Drejtësia në Kosovë nuk funksionon. Gjykata të jep dënimin e nuk diskuton më. Unë kishte prova të mjaftueshme për ta mbrojtur veten, por nuk funksionon asgjë këtu. Kam familje, kam grua e fëmijë”, shpreh mllefin ndaj njerëzve të drejtësisë, duke shtuar se “ndoshta nuk vdesim këtu e ishalla jeta na pret përpara”.

Mësimdhënësi i kësaj klase, Fatmir Mehaj, është instruktori i IT-së i cili punon që 12 vite në këtë burg.

Fatmir Mehaj

“Merrem me trajnimet – Windows, Word, Excel… Mirë është duke ecur mësimi. Në fillim të burgosurit konkurrojnë që t’i nënshtrohen procesit të shkollës. Pesë ditë të javës kanë mësim”, tha Mehaj, duke treguar se nxënësit e tij kanë vullnet dhe janë të interesuar. “S’kam pasur asnjëherë problem”.

SHKOLLIMI, SI PJESË E RISOCIALIZIMIT DHE RIEDUKIMIT

Udhëheqësi i shkollës, Ismet Lekaj, foli rreth ecurisë së aktiviteteve që ndodhin në këtë objekt.

“Shkollë është në kuadër të burgut. Kemi aktivitete kreative-sportive. Gjithashtu jam udhëheqës i trajnimeve të stafit. Mbaj ligjërata e trajnime në nivel të Shërbimit Korrektues në Akademinë e Kosovës për Sigurinë Oublike”, tha ai. “Organizojmë aftësime profesionale për të burgosur në disa lëmi, si kompjuterëve dhe kontabilitet financiar. Pastaj kemi aftësime profesionale në lëmin e saldimit, instalimit të ujit e të kanalizimit, zdrukthëtarisë, ndërtimtarisë si dhe kuzhinierisë”.

Ismet Lekaj

Ai po ashtu tha se në këtë shkollë organizohen edhe testet e brendshme, por edhe testi përfundimtar – së bashku me Qendrën e Aftësimeve Profesionale të Pejës.

“Përpiqemi që të ofrojmë aftësime në kuadër të risocializimit dhe riedukimit të burgosurve. Me Qendrën për Aftësime Profesionale të Pejës e kemi të harmonizuar kurrikulën e mësimit. Të burgosurit që janë të suksesshëm, i nënshtrohen testeve të brendshme. Edhe testin përfundimtar e mbajmë së bashku me Qendrën e Pejës. Ata që e kalojnë këtë test – ata arrijnë të certifikohen”, tha udhëheqësi për Telegrafin, duke sqaruar se në certifikatat e tyre askund nuk figuron Qendra Korrektuese e Dubravës, sepse dalin të certifikuar në nivel të Republikës së Kosovës. “Është shkollë e njëjtë si çdo shkollë publike. Shkolla punon me dy ndërrime – paradite dhe pasdite. Janë tetë klasë dhe 16-të mësimdhënës, e ndër ta edhe një koordinator. Të gjithë ata të burgosur që përfundojnë vitin shkollor, marrin certifikata e diploma të barasvlershme me shkollat publike të Republikës së Kosovës”.

Kjo shkollë ka 70 nxënës, ku organizohen edhe aktivitete të ndryshme.

“Rutinën e vet sportive e organizojmë me tetë instruktorë. Secili pavijon dhe krah ka qasje në këto aktivitete. Të burgosurit kanë disiplinë, edhe pse jo të gjithë janë të tillë”, shtoi tutje ai.

Koordinatori i kësaj shkolle, Lulzim Bajra, i cili është edhe oficer korrektues në Dubravë, merret me punësimin.

“Çdo gjë po funksionon mirë. E kemi edhe bibliotekën e burgut, që është e pajisur me libra. Të gjithë të burgosurit kanë qasje. Biblioteka është pak e furnizuar, edhe pse kemi bërë përpjekje me Ministrinë e Arsimit që ta furnizojmë me libra”, tha Bajra.

Lulzim Bajra

“ASKUSH NUK E DI ÇKA ËSHTË BURGU – PA E PËRJETUAR"

Në këtë bibliotekë kujdeset një i burgosur nga Suhareka, i cili është i dënuar për vrasje me 15 vite burg. Ai thotë se janë 200 të burgosur që shkëmbejnë dhe lexojnë libra.

“Librat kanë të drejtë t’i mbajnë për dy javë rresht e pastaj i kthejnë. Akuzohem për vrasje. 15 vite burg i kam marrë dënim, e tetë vite i kam kaluar. Burgu i plotëson kushtet. Ka hapësirë të madhe e kjo gjë të bën mirë edhe për sytë. Lexoj kur kam kohë e punojmë nga pak”, tha ky person i vjetër në moshë, i cili e ka edhe një mesazh: “Jam penduar për veprën, ndaj i këshilloj të gjithë mos të bëjnë vepra të këqija, sepse askush nuk e di çka është burgu pa e përjetuar”.

Një tjetër nga qyteti i Prizrenit. Është dënuar për vrasje. Ai e pranon veprën e bërë, por fajin ia lë Policisë që thotë se nuk ka ndërmarr masa më herët, për çka drejtësinë vendosi ta marrë në duart e tij.

“Jam dënuar për vrasje me 20 vite burg. Deri tani i kam kaluar 10 vite këtu. Jam nga Prizreni. Këtu gjendem për faj të mosfunksionimit të shtetit. Policia s’merr masa – s’funksionon asgjë”, u shpreh ai me keqardhje për veprën e bërë dhe dëmit të shkaktuar familjes së viktimës. “Kam kërkuar falje gjithmonë, se s’kam dashur kurrë askënd ta privoj nga jeta. Por, vjen një moment nga i cili s’mund të ikësh”.

Sa i përket kushteve të trajtimit, ai tha se ato janë mesatarisht të mira.

“Kush dëshiron të kryejë shkollë, mundet. Unë kam mbaruar katër trajnime profesionale. E kam përsëritur edhe njëherë shkollën e mesme. Si burg kushtet janë të mira”, shtoi ky i burgosur i pakënaqur me trajtimin mjekësor e me mungesë të barnave. E, problem tjetër për të është edhe lirimi me kusht!

“Paneli gjyqësor nuk përgjigjet në kërkesat tona; nuk japin lirim me kusht. I kam dërguar tri kërkesa e asnjë përgjigje s’e kam marr. Jam dënuar me kodin e vjetër penal, e me të riun që ka hyrë në fuqi në vitin 2013 jepet mundësia të zgjedhësh ligjin më të favorshëm për lirimin me kusht që më takon. Por, na injorojnë”, thekson ai, duke shprehur mllef edhe me faljen nga ana e presidentes që, sipas tij, nuk është duke funksionuar. “Presidentja nxjerr dekret për të burgosurit, ne bëjmë kërkesa dhe asnjë nuk e fal”.

Dhomat mirëmbaheshin nga të burgosurit. Dritë të mjaftueshme nuk kishte, për shkak të grilave. Të burgosurit kanë edhe aktivitetet tjera ditore, që u mirëmbaheshin siç parashihej me rregullore.

PESËDHJETË TË HUAJ NË DUBRAVË…

Telegrafi kontaktoi drejtorin e Qendrës Korrektuese të Dubravës, Ismajl Dibrani, i cili tha se kapaciteti i përgjithshëm i burgut është 1180 persona, e se momentalisht aty janë 776 të burgosur.

Ismail Dibrani

“Kemi të burgosur për vepra të ndryshme. Mirëpo, veprat më të shpeshta janë ato të vjedhjeve, narkotikëve, vrasjeve…”, ka thënë Dibrani, duke cekur se më herët këtu janë vuajtur të gjitha dënimet e mundshme, porse dënimet e gjata dhe ato të përjetshme tash janë përcjell për në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz. “ Këtu maksimalja e dënimit është 15 vite”.

Dibrani gjithashtu tregoi se numri i përgjithshëm i stafit civil, i stafit të uniformuar dhe i sektorit të shëndetësisë arrin në 653 personave.

“Përveç shkollës kemi edhe punëtoritë për trajnime profesionale. Të burgosurit në fund marrin diploma që evidentohen nga Peja, që të mos kenë paragjykime në punësim”, u shpreh Dibrani, i cili shton se të burgosurit që shfaqin sjellje të mira kanë beneficione pas përfundimit të gjysmës së vuajtjes së dënimit.

“Për këtë formohet një panel ku bëjnë pjesë zyrtari social, udhëheqësi i pavijonit e këshilltari ligjor. Bashkërisht me zëvendësdrejtorin, e varësisht prej vlerësimit, paneli i propozon drejtorit masat për vendim. Me ligj, të burgosurve u takojnë 14 ditë pushim të rregullt gjatë një viti, ndërsa për ata të burgosur që angazhohen në punë i kanë edhe shtatë ditë ekstra për pushim tek shtëpitë e tyre. Por, ligji mundëson edhe pushimin e jashtëzakonshëm për raste emergjente në familje të ngushtë”, shtoi tutje ai.

Se a kanë të drejtë të burgosurit që gjatë periudhës që e vuajnë dënimin të kryejnë edhe studimet universitare, Dibrani sqaroi se Ligji për Arsimin ua mundëson studimet jashtë burgut, porse nuk kanë një akt nënligjor i cili e rregullon çështjen e bartjes së të burgosurve.

“Me përfundimin e gjysmës së dënimit, të burgosurve u takon vikendi në familje. Shumica e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë. Por, prapë duhet të nxirret një akt ligjor, meqë pushimi në familje jepet vetëm në Komunën ku ai jeton e universiteti mund të jetë diku tjetër”, sqaroi ai.

Sa i përket kushteve të burgut, Dibrani ka thënë se ka bërë vizita në rajon, për çka me bindje thotë se “Kosova është e para në raport me kushtet dhe trajtimin e të burgosurve”.

“Ofrojmë trajtim të barabartë për të gjithë, pa dallim race, gjinie e kombësie. Këtu kemi afro 50 shtetas të huaj që nuk ndihen të anashkaluar. Ata janë nga Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Kolumbia etj”, thotë drejtori, duke shtuar se këtu ofrohen kushtet e shërbimet që duhet t’i ketë një shtet i zhvilluar, ndërsa thekson se në kompleks kanë edhe fermën me afro 70 krerë. “Shpeshherë furnizohemi me produktet që i nxjerrim nga këtu”.

PËRFITIMET DHE DËNIMET SHTESË…

Udhëheqës i Pavijonit NR. 6, Salih Shoshi, tregoi për Telegrafin se të burgosurit në pavijonin të cilin ai e udhëheq, janë të angazhuar me punë.

Salih Shoshi

“Ky pavijon është me beneficione. Të gjithë të burgosurit janë të angazhuar nëpër vende të punës. Punojnë paradite dhe pasdite. Kapaciteti i pavijonit është për 134 të burgosur. Për momentin vetëm një vend është i lirë. Ky pavijon i mbulon me punë të gjitha zonat brenda perimetrit të murit e edhe në zonën industriale. Në depo shkojnë e vijnë pa përcjellje dy të burgosur. Ata i kanë ID-kartat. Tre të burgosur i kemi brenda perimetrit, pa përcjellje, që janë pastrues të oborrit. Të tjerët janë me përcjellje”, tha Shoshi, duke sqaruar se beneficionet merren në bazë të risocializimit dhe besimit.

Përderisa Pavijoni nr. 6 ishte pavijon me beneficione e pa të burgosur të dhunshëm, Pavijoni NR. 1 mban të dënuarit me regjim. Udhëheqësi i këtij pavijoni, Asllan Abazaj, ka thënë për Telegrafin se ky aty ka edhe të dënuar të ndëshkuar me vetmi.

Asllan Abazaj

“I kemi tetë qelia të vetmisë. Për momentin një i dënuar është në vetmi dhe një në grevë urie, ngaqë kërkon kushte ekstra. Pas vetmisë ka 28 ditë regjim dhe i burgosuri kalon në pavijon më të avancuara”, tha Abazi, duke treguar se ky pavijon ka për momentin 43 të burgosur. “Kemi të dënuar edhe me regjim themelor. Dy shëtitje i kanë në stinën e dimrit me nga gjysmë ore; tri shëtitje gjatë verës. Edhe të vetmuarit i kanë shëtitjet, por veçmas nga këta. Dy herë në javë e kanë pastrimin. Në katin e dytë mbahet regjimi për 28 ditë dhe pastaj kalon në procedura tjera. Në orën 10-12 e kanë drekën”.

Ndryshe, brendësia e këtij muri rrethues, përfshirë zonën industriale dhe zonën e pavijoneve nga 1-8 (spitali, shkolla, fushat sportive të hapura dhe të mbyllura, objektet trajnuese etj), ka 24 hektarë tokë. Kjo hapësirë ka pritur e përcjell shumë njerëz me vepra të ndryshme penale, por që i janë nënshtruar rregullave dhe riedukimit që dënimi të zbutet e edhe jeta që t’ju bëhet më e lehtë. Për të gjithë këta vlen thënia e të burgosurit të intervistuar, se “askush nuk e di çka është burgu – pa e përjetuar”. Por, për të reduktuar numrin e të burgosurve e për t’i risocializuar ish të burgosurit, Kosova duhet të jetë vend me mundësi më të mëdha, e me perspektivë. Ndryshe, të gjithë do të ndihen të burgosur, ashtu siç thotë aktori amerikan Wesley Snipes: “Askush s’dëshiron të mbyllet, edhe pse ‘mbyllja është çështje e perspektivës. Ka njerëz që janë jashtë e janë mendërisht në burg – më keq se ata që janë prapa grilave”. /Elfije Boletini/Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi/

Prapa grilave dhe gjembave: Vendi ku numërohet çdo ditë e çdo moment KËSHTU DUKET BURGU I DUBRAVËS! – http://telegra.fi/OqZjLl

Posted by Telegrafi.com on Saturday, November 21, 2015

Në trend Lajme

Më shumë
Policia e Kosovës pajiset me automjete të reja, për mbështetje të Njësive speciale-policore gjatë operacioneve dhe aksioneve të veçanta

Policia e Kosovës pajiset me automjete të reja, për mbështetje të Njësive speciale-policore gjatë operacioneve dhe aksioneve të veçanta

Siguri
Reagon vëllai i Fitore Pacollit: Kam vite që merrem me bujqësi, kam aplikuar si fermer i lirë e as nuk kam llogaritur në motër

Reagon vëllai i Fitore Pacollit: Kam vite që merrem me bujqësi, kam aplikuar si fermer i lirë e as nuk kam llogaritur në motër

Lajme
Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Lajme
Stomatologu Hoxha ishte shpallur studenti më i mirë nga gIDE, ky institut ofron 25 licenca për Klinikën Stomatologjike për qasje falas në platformën e tyre të videos

Stomatologu Hoxha ishte shpallur studenti më i mirë nga gIDE, ky institut ofron 25 licenca për Klinikën Stomatologjike për qasje falas në platformën e tyre të videos

Lajme
Nga Amerika Latine në Shqipëri, zbulohet laboratori i kokainës në Qerekë - arrestohen 10 persona

Nga Amerika Latine në Shqipëri, zbulohet laboratori i kokainës në Qerekë - arrestohen 10 persona

Lajme
Nagavci: Kam nënshkruar kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dhe një shkolle

Nagavci: Kam nënshkruar kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dhe një shkolle

Lajme
Kalo në kategori