Një palestinezi do t'i hiqet shtetësia gjermane e sapo marrë, pasi postoi një foto që tregonte mbështetje për Hamasin, shkruan The Telegragh.

Një ditë pasi festoi mbërritjen e pasaportës së tij gjermane, burri, i referuar vetëm si Abdallah, ngarkoi në Instagram një fotografi që tregonte luftëtarët e Hamasit me mbishkrimin "heronj të Palestinës".


Pak më vonë, ai mori një letër nga ministria e Brendshme e Gjermanisë ku thuhej se shtetësia e tij ishte revokuar, sipas gazetës lokale Bild.

Gjermania ka shkuar më tej se shumica e vendeve evropiane për të ndëshkuar mbështetjen për Hamasin dhe për të frenuar mbështetjen pro-palestineze, nga ajo që e sheh si një detyrim historik ndaj Izraelit dhe për të ndrequr padrejtësitë e së kaluarës së saj naziste, transmeton Telegrafi.

Në vitin 2024, ajo reformoi ligjet e saj të shtetësisë për të kërkuar që aplikantët të respektojnë "rendin e saj të lirë demokratik dhe përgjegjësinë e veçantë historike të Gjermanisë" ndaj jetës hebraike.

Pyetje të reja u shtuan gjithashtu në testin e shtetësisë gjermane në lidhje me jetën hebraike dhe "të drejtën për të ekzistuar" të Izraelit.

Dy shtete lindore të Gjermanisë i kanë detyruar aplikantët të shkruajnë në mënyrë të qartë, se besojnë në "të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si një vend strehimi për të gjithë njerëzit me besime hebraike".

Të paktën dhjetë personave në shtetin e Saksonisë-Anhaltit iu refuzuan kërkesat pasi nuk e plotësuan atë seksion.

Ndërsa Gjermania ka bllokuar rrugën drejt shtetësisë bazuar në refuzimin e një aplikanti për njohjen e Izraelit si shtet, rasti i Abdallah besohet të jetë një nga rastet e pakta ku shtetësia është hequr.

Nuk është e qartë nëse ai do të deportohet, duke pasur parasysh se Gjermania nuk e njeh Palestinën si shtet. /Telegrafi/