Poshka, rruga drejt një karriere të suksesshme

Me dëshirën për t’u bërë një notar i mirë fillon stërvitjen në klubin e notit “Struga” si i vetmi sportist shqiptar në kampionatin e Maqedonisë. E njëjta periudhë përkoi edhe me mësimin e mandolinës, duke projektuar në këtë mënyrë rrugën që pavarësisht nga mosha, duket e gjatë dhe e vështirë. Ka ardhur rishtazi në Tiranë për një bashkëpunim të ri me kompozitorin Edmond Zhulali.
Në studion ku punon në kryeqytet gjendet edhe poeti i këngëve të tij, Jorgo Papingji. Mbi vargjet e këtij të fundit ai ka kompozuar gati 13 këngë. Papingji i frymëzuar nga muzika e tij, thotë se bashkëpunimi nuk është i rastësishëm.
“Gimi, në natyrën e të kënduarit të tij parazgjedh këngët me tematikë sociale dhe ai e zgjedh vetë performancën. Në të gjitha këngët që ka ekspozuar në festivale, ai ka gjithmonë një performancë të re, shumë të gjetur dhe me shumë domethënie”, thotë poeti.
Të njëjtin mendim ndan edhe Edmond Zhulali, orkestruesi i shumë këngëve të Agimit. Ai thotë se pavarësisht origjinës, muzika e tij tingëllon e afërt për publikun shqiptar që e ndjek dhe e pëlqen.
“Ka kërkuar gjithmonë që kjo këngë të jetë bazuar mbi dhimbjen dhe me orkestrim bashkëkohor”, thotë Zhulali. Duke zbritur nga ky vlerësim “akademik”, kantautori Redon Makashi kërkon ta vlerësoje Agimin nga pozitat e një miku të vjetër.
Një njohje “blic” nëpër festivale dhe që më pas mori trajtat e një miqësie të vërtetë. “Si fillim e sheh një njeri tepër të ndrojtur dhe të fjetur, por kur diskuton me të, të jep atë kënaqësinë e të diskutuarit. Është i këndshëm dhe ka edhe sensin e humorit brenda tij”, pohon Makashi.
Kantautor, shou-men, menaxhues i trupës teatrore të të rinjve në Strugë, pedagog dhe aktivist i njohur i të drejtave të artistëve, Agim Poshka është nga ata të rinj që mesa duket, nuk ka kohë. /TCH/






























































