LAJMI I FUNDIT:

Politikanët shprehin ngushëllime për vdekjen e Rexhep Bojës

Politikanët shprehin ngushëllime për vdekjen e Rexhep Bojës

Ish-kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Rexhep Boja vdekur sot në moshën 75 vjeçare.

Siç merr vesh Telegrafi, Boja ditët e fundit ishte i shtrirë në spital dhe kishte probleme kardiovaskulare.

Ai në vitin 1990 ishte zgjedhur kryetar i Bashkësisë Islame dhe më pas është rizgjedhur për tri mandate, ku këtë institucion e ka udhëhequr në kohët më të vështira nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga viti 1990 e deri më 2003.


Në vitin 1992 është zgjedhur dekan i Fakultetit të Studimeve Islame dhe ka vazhduar në këtë post për shumë vite, teksa gjatë kohës sa ishte në krye të BIK-ut ka marrë pjesë në mbi 150 konferenca, simpoziume e takime të niveleve ndërkombëtare.

Ndërron jetë ish kryetari i BIK-ut, Rexhep Boja
Lexo po ashtu Ndërron jetë ish kryetari i BIK-ut, Rexhep Boja

Rexhep Boja ishte edhe ambasador i Kosovës në Arabinë Saudite.

Për vdekjen e tij kanë shprehur ngushëllime figura të shumta të politikës, duke filluar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka ngushëlluar familjen Boja, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-ambasadorit të Kosovës në Arabinë Saudite, profesorit dhe ish-kryetarit (myftiut) të Bashkësisë Islame të Kosovës, dr. Rexhep Boja.

Në telegram, ndër të tjera, thuhet:

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të dr. Rexhep Bojës, myftiut shumëvjeçar të BIK-ut.

Ndarja nga jeta e z. Boja është humbje e madhe për familjen, miqtë, besimtarët islamë dhe mbarë popullin e Kosovës.

Ne do ta kujtojmë përherë z. Boja si njeri të urtë, i cili, duke qenë në krye të Bashkësisë Islame në vitet më të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova, gjatë viteve ’90, ndikoi që solidariteti, besimi dhe paqja ndërmjet qytetarëve të Kosovës të kultivoheshin e të thelloheshin më tej.

Po kështu, ai la gjurmë edhe në përfaqësimin e  Republikës së Kosovës, duke shërbyer, përveç tjerash, edhe si ambasador fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite. La një kontribut të çmuar edhe në sferën akademike.

I përjetshëm qoftë kujtimi për dr. Rexhep Bojën”, thuhet në telegramin e Presidentes Osmani dërguar familjes Boja.

Ndërkaq, ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve e bashkëpunëvtorëve të Rexhep Bojës.

“Kosova sot humbi një intelektual e patriot, ish-Myftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Rexhep Bojën, i cili për shumë vjet punoi për lirinë e vendit, promovoi dijen, mirësinë e besimin për popullin tonë.

Rexhep Bojën do ta kujtojmë përherë edhe për kontributin e pakursyer në shtetndërtim duke qenë ambasador i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite, nga ku afirmoi shtetin tonë në botën arabe, ku krijoi ura të reja komunikimi e mundësi bashkëpunimi.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Rexhep Bojës, si dhe për Bashkësinë Islame të Kosovës”, thuhet në postimin e Krasniqit.


Për vdekjen e Bojës, ka shprehur ngushëllime edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.

“I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e ish-kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Rexhep Boja.

Boja kishte udhëhequr BIK-un në rrethana shumë të rënda për Kosovën, në vitet e përpjekjeve tona për lirinë e Atdheut, vite të rënda edhe për institucionet fetare.

Pas çlirimit ai u angazhua në edukim por edhe në diplomaci, ku përfaqësoi denjësisht Republikën e Kosovës si ambasador në Arabinë Saudite.

Me këtë rast ngushëlloj familjen Boja, Myftiun Tërnava, miqtë, familjarët, studentët dhe mbarë komunitetin mysliman.

Shpirti i tij u prehtë në Parajsë”, shkruan Haradinaj.


Teksa, edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla përmes një telegrami ka ngushëlluar familjen Boja:

“E nderuara familje Boja,

Me pikëllim të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta të z. Rexhep Boja, ish myftiut të Bashkësisë Islame si dhe ish ambasadorit fuqiplotë të Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite.

Ndarja nga jeta e z. Rexhep Boja është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për mbarë popullin e Kosovës, të cilët kanë përfituar nga solidariteti, urtësia e paqja që ka kultivuar z. Boja ndër vite.

Boja do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij tejet të vlefshëm në diplomacinë kosovare, në Bashkësinë Islame e në botën akademike. Një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë për çështjen kombëtare, në veçanti gjatë viteve të 90-ta dhe në forcimin e mëtejmë të tolerancës ndërfetare në Kosovë. Z. Boja ishte modeli i klerikut atdhetar, i cili tërë jetën ua kushtoi këtyre dy idealeve madhore.

Posaçërisht kolegët nga MPJD-ja do ta kujtojnë gjithmonë me respekt për bashkëpunimin, profesionalizmin e lartë dhe angazhimin e madh në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Qoftë i përhershëm kujtimi për z. Rexhep Boja”, thuhet në telegramin e Gërvallës.


Po ashtu, edhe kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka dërguar një letër ngushëllimi familjes Boja me rastin e kalimit në ahiret të udhëheqësit, drejtuesit, pedagogut e ambasadorit tonë të shquar, Rexhep Bojës.

“Me këtë rast bashkë ndjejmë dhembjen me ju dhe njëkohësisht lusim Zotin e madhërishëm që ish myftiun ta marr në mëshirën e Tij.

Kalimi në ahiret i Rexhep Bojës është humbje jo vetëm për ju si familje por edhe për të gjithë ne.

Rahmetliu tërë jetën ia kushtoi ngritjes dhe avancimit të jetës fetare te ne sikur që ka dhënë një kontribut të paçmuar për shtetësimin e Kosovës.

Lusim Allahun Fuqiplotë që dr. Rexhep Bojën ta shpërblejë me të mirat e Tij të pakufishme në xhenet dhe shpirtin e tij ta bashkoj me shpirtrat e Pejgamberëve e dëshmorëve, ndërsa familjes, miqve e farefisit t’ falë durim”, thuhet në letrën e Tërnavës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Drejtësi
Apeli ia vërteton dënimin me burg dhe gjobë ish-zyrtarit të MTI-së, të akuzuar për keqpërdorim të informatës zyrtare

Apeli ia vërteton dënimin me burg dhe gjobë ish-zyrtarit të MTI-së, të akuzuar për keqpërdorim të informatës zyrtare

Drejtësi
Kalo në kategori