LAJMI I FUNDIT:

Politika e zemërimit

Politika e zemërimit

Ndoshta e vetmja gjë befasuese rreth reagimit të ashpër populist që ka pushtuar politikën e shumë demokracive të përparuara është se u vonua kaq shumë. Edhe dy dekada më parë ishte e lehtë të parashikohej se mungesa e vullnetit nga politikanët e zakonshëm për të ofruar mjete që adresojnë pasiguritë dhe pabarazitë e epokës sonë të hiper-globalizuar do të krijonte hapësirë politike për demagogët me zgjidhje të lehta. Atëherë, ishte Ross Perot dhe Patrick Buchanan; sot është Donald Trump, Marine Le Pen dhe shumë të tjerë.

Historia nuk e përsërit veten plotësisht, por mësimet e saj janë shumë të rëndësishme. Duhet të kujtojmë se epoka e parë e globalizmit, që arriti pikun në dekadat përpara luftës së parë botërore, eventualisht prodhoi edhe më tepër reagim të ashpër politik.

Prova historike është përkufizuar mirë nga kolegu im i Harvardit, Jeffry Frieden. Në lulëzim të standardit të artë, argumenton Frieden, aktorët e zakonshëm politikë duhej të minimizonin reformat sociale dhe identitetin kombëtar sepse i dhanë prioritet lidhjeve ekonomike ndërkombëtare. Përgjigjja mori një nga dy format fatale në periudhën mes lufërave: socialistët dhe komunistët zgjodhën reformën sociale ndërsa fashistët zgjodhën mbrojtjen kombëtare. Të dyja rrugët na larguan nga globalizimi dhe na çuan drejt mbylljes ekonomike (ose edhe më keq).

Reagimi i sotëm i ashpër me shumë gjasa nuk do të shkojë aq larg. Sado që kanë pasur kosto, çrregullimet e recesionit të madh dhe kriza e euros kanë më pak rëndësi krahasuar me Depresionin e Madh. Demokracitë e përparuara kanë ndërtuar – dhe ruajtur (pavarësisht pengesave të fundit) – rrjete gjithëpërfshirëse të sigurisë shoqërore në formën e përfitimeve të papunësisë, pensioneve të plakjes dhe asistencës familjare. Ekonomia botërore tani ka institucione ndërkombëtare funksionale – si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata Botërore e Tregtisë OBT – të cilat mungonin përpara luftës së dytë botërore. Dhe së fundmi, lëvizjet politike ekstremiste, si fashizmi dhe komunizmi janë diskredituar gjerësisht.

Ende, konfliktet mes ekonomisë së hiper-globalizuar dhe bashkëkohësisë sociale janë të vërteta dhe elitat e zakonshme politike i shpërfillin ato me përgjegjësi. Siç argumentova në librin tim “Mos ka shkuar shumë larg globalizimi?” në vitin 1997, tregjet e ndërkombëtarizuara të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit krijojnë një çarje mes grupeve kozmopolitane, profesionale dhe me aftësi të caktuara për të përfituar prej tij krahasuar me pjesën tjetër të shoqërisë.

Dy llojet e përçarjes politike janë përkeqësuar me kalimin e kohës: një përçarje identiteti që ka të bëjë me shtetin, etninë apo fenë dhe një përçarje të të ardhurave, që rrotullohet në klasën sociale. Populistët e marrin argumentin e tyre nga një prej këtyre përçarjeve. Populistët e krahut të djathtë si Trupm përfshihen në politikat e identitetit. Populistët e krahut të majtë si Bernie Sander theksojnë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.

Në të dyja rastet, ka një objekt zemërimi ndaj të tjerëve. A mund të bashkohen dy skajet? Kinezët na kanë marrë punën. Të zemëruar nga krimi? Meksikanët dhe imigrantët e tjerë kanë sjellje grupe gangsterësh në vendin tonë. Terrorizmi? Për shkak të myslimanëve, sigurisht. Korrupsioni në politikë? Çfarë presim kur përfshihen bankat e fuqishme në sistemin tonë politik? Ndryshe nga elitat e zakonshme politike, populistët e kanë shumë të lehtë të tregojnë se cili është problemi i sëmundjeve masive.

Sigurisht, politikanët e establishmentit janë kompromentuar sepse ata kanë qenë në fushë gjatë gjithë kohës. Por ata janë paralizuar gjithashtu nga qëndrimi i tyre i mesëm, që vjen erë mosveprim dhe duar të lidhura.

Kjo narrativë e hedh fajin për pagat e mbetura në vend dhe rritjen e pabarazisë te forcat teknologjike që dalin nga kontrolli ynë. E trajton globalizimin dhe rregullat që e karakterizojnë atë si të patundur dhe të pashmangshëm. Ilaçi që ofron janë investimet në arsim dhe aftësi, premtimet për shpërblime të menjëhershme dhe përfitime në vitet në vijim.

Në realitet, ekonomia botërore sot është produkt i vendimeve të caktuara që qeveritë kanë bërë në të shkuarën. Ishte një zgjedhje për të mosndaluar te Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë dhe për të ndërtuar një OBT më ambicioze dhe më gjithëpërfshirëse. Në të njëjtin aspekt, do të jetë një zgjedhje nëse do të ratifikohen megamarrëveshjet e tregtisë në të ardhmen si për shembull Partneriteti Trans-Paqësor dhe Transatlantik i Tregtisë dhe Partneriteti i Investimit.

Ishte zgjedhje nga ana e qeverive të lehtësonin rregullat mbi financën dhe të synonin lëvizje ndërkufitare të kapitalit, ashtu si ishte një zgjedhje të mbesnin në fuqi politikat e patakta, pavarëissht krizës së madhe financiare globale. Siç na kujton Anthony Atkinson në librin e tij kryevepër mbi pabarazinë, edhe ndryshimi teknologjik nuk është imun ndaj agjencisë qeveritare: ka shumë gjëra që politikanët mund t’i bëjnë për të ndikuar drejtimin e ndryshimit teknologjik dhe për të siguar se kjo çon në punësim dhe barazi më të madhe.

Suksesi i populistëve është se ata i japin zë zemërimit të të përjashtuarve. Ata ofrojnë një shumëllojshmëri zgjidhjes, ndonëse të gabuara dhe shpesh të rrezikshme, për problemet. Politikanët e zakonshëm nuk do ta fitojnë terrenin e humbur derisa ata, gjithashtu, të ofrojnë zgjidhje serioze për të ofruar vend për shpresë. Ata duhet të mos fshihen më gjatë pas teknologjisë dhe globalizimit të pandalshëm dhe duhet të jenë të gatshëm të jenë të guximshëm dhe të kryejnë reforma në shkallë të gjerë në mënyrë që ekonomia vendase dhe globale të ecë përpara.

Nëse historia na mëson se globalizimi që vrapon i tërbuar është i rrezikshëm, ajo gjithashtu na paralajmëron rreth farkëtimit të kapitalizmit. Ishte Marrëveshja e Re, shteti i mirëqenies dhe globalizimi i kontrolluar (nën regjimin e Bretton Ëoods) që ngadalë i dha shoqërive të orientuara nga tregu një shpresë për jetë të re dhe prodhoi një bum pas luftës. Nuk ishte modifikimi me pakicë i politikave ekzistuese ai që prodhoi këto arritje, por ndërtimi radikal i institucioneve.

Politikanët e moderuar të kenë parasysh këto gjëra. /Project Syndicate/reporter.al/