Policia nuk ia dorëzoi të gjitha provat prokurorisë për incidentin Beqa-Elezi

Më 29 nëntor 2023 në ambientet ku do të duhej të mbrohej konkurrenca e të luftoheshin marrëveshjet e fshehta që për qëllim kanë rritjen e çmimeve në treg, zyrtarët publik degraduan, duke u përleshur fizikisht.
Drejtori i Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa pati një incident me ish- ushtruesin e detyrës të Departamentit për Mbikëqyrjen e Tregut, Shemsi Elezi.
Versionet se për çka nisi përleshja fizike janë të ndryshme.
I pari i institucionit Beqa thotë se Elezi e kishte kapur për fyti, duke i refuzuar ofrimin e llogaridhënies dhe në vetëmbrojtje e kishte shtyrë, për çka ishte përplasur në cepin e derës.
“Unë kam qenë duke vazhduar në zyrën time, ai ishte duke më pritur aty dhe me një tonë kërcunues nga ana e majtë më deklaron që mos më dërgo më emaile kësisoj dhe ndaloj këto kërkesa. Thash emaile dhe kërkesa për punë do të kemi vazhdimisht për punë jena këtu. Atëherë më ka kapur për fyti kam tentuar ta largoj dhe nuk u hiqte nga qafa ime, më kapi për fyti, dhe në atë moment e kam shtyrë, e kam parë që zënë në shtyllën e derës dhe si gjysëm i rrëzuar në korridor, dhe unë hapa derën për të hyrë në zyrën time. Në atë moment u zgjua dhe më ka sharë me nënë, atëherë i kam thënë e ke njohur nënën time ke qenë tek nëna ime, nuk është mirë me sha ashtu. Në atë moment është vërsul me godit në këtë pjesë por nuk ka mundur të më qëlloj dhe atëherë e kam shtyrë përsëri mbrapa dhe përsëri ka zanë në shtyllën e derës dhe është rrëzuar dhe kanë ndërhy kolegët kaq ka qenë”, thotë Beqa.
Ndryshe nga Beqa, Elezi thotë kishte dalë për të fotokopjuar dokumente, kur drejtori Beqa e kishte sulmuar fizikisht.
“Jom drejtu me dalë prej zyrës për me shku te printeri në fund të korridorit, edhe pa njo pa dy, ka dalë prej derës prej zyrës së tij edhe më ka godit në trup në kry, edhe dyshoj që edhe sipas analizave që i ka bo instituti i mjekësisë ligjore, dyshohet për një mjet të fortë jo i mprehtë, që mundet me kanë dhashtë Zoti s’ka pas, mundet me qenë një mjet tjetër, që ko me ardh puna kom me kërku prej institutit me vlerësu qai mjetë, po unë dyshoj që mundet me kanë edhe armë që më ka godit më ka preh në qaf edhe më ka godit tona pjesët e trupit me shkelma unë s’kom pas asnjë mundësi asnjë lëvizje me ba si më ka godit në kry kom ra për toke Dhe gjatë gjithë kohës më ka godit për nja një minut a dy", tha Elezi.
Gazetarja: Pra po thoni që nuk ka pas asnjë diskutim ka pas direkt sulm?
Elezi: Hiç, hiç asnjë diskutim unë veç durt xhepa i kom pas dhe kom shku direkt.
Gazetarja: Dhe për sa ka ushtruar dhunë po thoni?
Elezi: A kanë qënë 2 3 minuta a 5 minuta nuk e di”.
Si rrjedhojë, të dy kishin raportuar rastin në polici.
Gjatë denoncimit të rastit në polici, ishin ftuar edhe stafi mjekësor për kontrollimin e tyre.
Raportet përshkruajnë gjendjen e njëjtë për të dy.
Në raportin mjekësor të Beqës thuhet se “pacienti ankohet për dhimbje koke dhe ka gërvishtje të lehta në qafë”.
Beqa: Po unë kam marrë lëndime në qaf kam pasur gërvishje për të cilat i kam deklaruar edhe gjatë dhënies së deklaratës në polici për të cilën kam edhe foto që duket qartazi këmisha e shqyer dhe gërvishjet në qafë.
Gazetarja: Keni raport të mjekut?
Beqa: Natyrisht.
Gazetarja: Kur e keni marrë raportin?
Beqa: Gjatë kohës që kam qenë aty policia ma kanë sjellur ekipen mjekësorë në stacion policor”.
Në anën tjetër, në raportin mjekësor të Elezit shkruan “dhimbje koke, gërvishtje në qaf”.
Ndryshe nga Beqa, Elezi nuk i kishe besuar këtij raportit mjekësor të Qendrës Mjekësore Urgjente në Prishtinë, dhe si rrjedhojë kishte bërë kontrolle shtesë në QKUK, të cilat nuk i kishte kryer menjëherë por në mbrëmje.
Elezi: Gërvishtje po goxha e ranë, edhe jo veç një gërvishje po edhe goditje në kry krejt fotografit i kanë.
Gazetarja: A keni ekzaminim mjekësor që keni pranu goditje në kokë?
Elezi: Po more i kom bo krejt.
Gazetarja: A i keni raportet mjekësore me veti?
Elezi: I kam unë krejt qaty i kom.
Gazetarja: Po atë ditë që janë bë?
Elezi: Po atë ditë në mbramje jom shku se nuk i kom besu kësaj cka kanë ba mjeksia, qendra e mjëksisë familjare. Kam shku në spital me shokun kolegun tem Avni Gjocaj edhe i kena ba krejt inqizimet.
Bazuar në raportet e ofruara nga Elezi, më 30 nëntor Elezi e kishte thirrur Qendrën e Mjekësisë Urgjente për kontroll, ani se të njëjtës thotë se nuk i kishte besuar një ditë më parë.
Megjithatë, jo të gjitha këto prova u deponuan.
Hetuesi policor Sabri Osmani, në kallëzimin penal të ushtruar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nuk e deponoi fare raportin mjekësor të Beqës.
Madje, Osmani në kallëzim penal kishte konstatuar se Beqa nuk kishte pasur shenja të lëndimit dhe si rrjedhojë edhe nuk kishte pranuar kontroll mjekësore.
Kësisoj, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë në trajtimin e këtij rasti nga Policia.
Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar sqarime nga hetuesi Osmani si dhe rreshteri përgjegjës Naser Berisha, se pse kjo provë nuk ishte përfshirë në kallëzim penal, nuk i ishte ofruar prokurorisë si dhe pse kishte deklaruar rrejshëm se Beqa nuk kishte pranuar trajtim mjekësor, ani se ftesa ishte bërë nga ana e tyre dhe trajtimi mjekësor i ishte dhënë në stacion policor
Mirëpo, përkundër pritjeve, Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje. /Betimi për Drejtësi/




















































