Policia e Kosovës pjesë e garës ‘King Abdullah Special Operations Training Center’ në Jordani, arrin në fazën finale

Policia e Kosovës (PK), konkretisht zyrtarë policorë të njësive speciale, po marrin pjesë në një garë ndërkombëtare të njësive elitare policore/ushtarake të shteteve të ndryshme.
Në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës thuhet se këtë vit pjesëmarrëse janë 38 ekipe të shteteve të ndryshme të botës.
"Në këtë garë njësitet elite policore si dhe ato ushtarake po garojnë në disa disiplina me shkallë të lartë të vështirësisë dhe taktikës, si gjuajtje me armë të llojeve të ndryshme, marshime me pesha të rënda dhe pjesë tjera të ushtrimeve të natyrës së kësaj fushe të operimit policor/ushtarak", thuhet në njoftim.
Po ashtu, thuhet se, Policia e Kosovës me njësinë elite të saj po tregon profesionalizëm dhe rezultate pozitive në fusha të ndryshme karshi policive të shteteve të ndryshme ndërkombëtare. Ekipi i PK-së, ka arritur të futet në pjesën finale të garave ‘King Challange’, ku pjesëmarrëse në këtë fazë do të jenë 15 ekipet më të suksesshme të këtij organizimi/gare. /Telegrafi/




















































