A po i zgjedhin milenialët qentë - si zëvendësues për fëmijët?
Nga: Zoe Williams / The Guardian (titulli origjinal: Are millennials really substituting dogs for children? Obviously not - as any dog owner would know)
Përkthimi: Telegrafi.com
Ndonjëherë, kur publikohen gjetje të reja befasuese, nuk mund të mos pyesësh veten pse u bë pikërisht ajo pyetje - edhe pse interesimi yt nxitet nga përgjigjet. Javën e kaluar, European Psychologist publikoi një përmbledhje të zhvillimeve të fundit në kërkimet për manarët dhe shkroi: “Duke pasur parasysh dy prirje - rritjen e numrit të qenve që shihen si anëtarë të familjes dhe një rënie në numrin e fëmijëve - lind një pyetje e rëndësishme: a po i zgjedhin njerëzit qentë si zëvendësues për fëmijët”?
Autorët përfunduan: epo, ndonjëherë. Një studim zbuloi se 16 për qind e pronarëve të qenve i mendonin vazhdimisht qentë e tyre si fëmijë; një tjetër komentonte se sa shpesh pronarët i referoheshin vetes si “prindër manarësh” dhe miqve të tyre të ngushtë si “foshnja me qime”. Megjithatë, ata theksuan gjithashtu se, “në kundërshtim me besimin e përhapur, vetëm një pakicë e vogël e pronarëve të manarëve i trajtojnë vërtet kafshët e tyre si fëmijë njerëzorë. Në shumicën e rasteve, prindërit e qenve i zgjedhin qentë pikërisht sepse nuk janë si fëmijët”.
Autorët jetojnë në Hungari, ku nivelet e ulëta të lindshmërisë prej kohësh kanë qenë temë e nxehtë për debat. Kjo ka çuar në politikat të cilat këtë vit arritën kulmin në stilin e Rrëfenjës së shërbëtores [The Handmaid’s Tale, roman i shkrimtares Margaret Atwood], kur kryeministri Viktor Orbán njoftoi se nënat me dy ose më shumë fëmijë do të përjashtoheshin nga tatimi mbi të ardhurat - për gjithë jetën. Kështu, kjo ndërhyrje ishte disi inkurajuese - së pari, sepse ishte krejtësisht faktike dhe jo normative dhe, së dyti, sepse fliste për qentë. Në përgjithësi, dhe sidomos kur kjo vjen nga Orbáni, biseda rreth lindshmërisë së ulët është thjesht një konstrukt i botëkuptimit të së djathtës ekstreme: një përzierje e palogjikshme e një qëndrimi të fortë kundër emigracionit, me ankthin se je vetëm një brez larg nga mungesa e njerëzve.
Po të përfshish qentë në këtë, gjithçka duket më e qetë, më e butë - ose të paktën, kështu ndjehesh nëse ti i do qentë. Dhe, ata që i duan, nuk do ta kuptojnë kurrë plotësisht se çfarë u pengon atyre që nuk janë dashamirës të qenve, çka është diçka e mirë, sepse nëse do ta kuptonim - më saktë, nëse ne do ta kuptonim - kjo do të ishte një betejë për të cilën do të jepnim jetën.
Nëse ke një qen dhe një fëmijë, apo vetëm një qen, apo asnjërin, por ke pasur një qen në të kaluarën dhe gjithashtu ke takuar fëmijë, do ta dish që, larg të qenit objekte të dashurisë së zëvendësueshme, ata në fakt janë të kundërtit e njëri-tjetrit. Dikur flitej për historinë e zbutjes së qenve përmes ujkut, por tani është bërë e qartë se qentë dhe ujqërit nuk janë edhe aq të ngjashëm, dhe aq sa i zbutëm ne qentë, aq na zbutën edhe ata neve. Na mësuan si të komunikojmë me një specie tjetër, të dorëzohemi përpara të panjohurës - të udhëhequr nga asgjë më shumë e as më pak sesa dashuria. Qentë gjithashtu mund të ulen dhe, shpesh, të të japin putrën. Fëmijët, përkundrazi, janë krejtësisht të patrajnueshëm dhe, kur më në fund e trajnojnë veten në mënyra që të habitin (gjë që nuk thuhet kurrë për një qen), atëherë janë në rrugën për t’u larguar. Çka, sërish, nuk është diçka që e bëjnë qentë.
Nëse flas për veten, nëse do të doja të zgjidhja këtë dilemë, do ta kërkoja diku tjetër. A po bien normat e lindshmërisë për shkak të rënies së standardeve të jetesës? Ose, për ta thënë më thjesht: a ka kush mundësi të përballojë një fëmijë? Nëse do të donim të krijonim një shoqëri të favorshme për familje të mëdha, a do të duhej të rizbulonim ambicien në shërbimet publike dhe bujarinë në mbështetjen shtetërore? A ka një pesimizëm të thellë global, që është i rrënjosur në katastrofat reale dhe të dukshme, si mosveprimi përballë krizës klimatike dhe pafuqia përballë konflikteve? A mund të jetë që bota duket gjithnjë e më shumë si një vend i pashpirt për një qenie njerëzore pafundësisht të çmuar dhe të brishtë?
Dhe, nëse do të isha absolutisht e vendosur të përfshija qentë në këtë - për shembull, nëse do të isha specialiste e marrëdhënieve qen-njeri - sërish do të anoja kah përcaktuesit shoqërorë të pronësisë së manarëve, përpara prindërimit. Kjo mund të përqendrohet në mundësinë për përkujdesje familjare dhe kufizimet ekonomike e kohore - të cilat përmenden shkurtimisht në artikull - më shumë sesa në sjelljet individuale, si p. sh. të ngatërruarit e qenit me një foshnjë.
Arsyeja e vërtetë se pse pronësia e qenit nuk mund të shihet si përmbushje e “një instinkti të përkujdesjes të ngjashme me prindërimin, por me më pak kërkesa” (siç thonë autorët), është se nuk është në të vërtetë më e lehtë sesa të kesh një fëmijë. Nëse ka ndonjë paralelizëm, ai është me vitet krejt të hershme të rritjes së fëmijës, kur ata nuk kanë një univers të tyre të pavarur, kur të shohin ty si Diellin dhe Hënën, dhe do të fusnin çdo gjë në gojë, thjesht për të parë çfarë ndodh.
Sado gëzim që ka në këtë fazë, ajo është lehtësisht pjesa më e vështirë. Duke marrë parasysh këtë botë post-pandemike, në të cilën pronësia e qenve - të paktën në Mbretërinë e Bashkuar - ka kapur majat (vetëm gjatë izolimit u blenë 3.2 milionë manarë), kupton sa shumë njerëz kënaqen kur kanë kërkesa ndaj kohës dhe përkushtimit të tyre. /Telegrafi/






























