Po restaurohet ish-konvikti studentor në Ferizaj

Kanë nisur punimet restauruese në ish-konviktin studentor në Ferizaj, ndërtesë historike e ndërtuar në vitin 1934 dhe pjesë e kompleksit të ish-shkollës “Ismail Qemali”.
Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, deri tani janë përfunduar punët e demolimit të brendshëm dhe montimi i kulmit, ndërsa aktualisht po vazhdohet me termoizolimin e tavanit, përcjell Telegrafi.
Ky projekt synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë kulturore, duke rikthyer ndërtesën si një simbol të edukimit dhe kujtesës qytetare.
Ministria thekson se restaurimi i ish-konviktit përbën një hap të rëndësishëm në ruajtjen e historisë për brezat e ardhshëm.
Ky investim përforcon përkushtimin për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore në nivel lokal dhe kombëtar. /Telegrafi/

















































