Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë duke u realizuar disa projekte infrastrukturore me qëllim përmirësimin e kushteve të shërbimit dhe të ambientit spitalor.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtori Ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, Dr. Fahri Hasani, së bashku me Drejtorin e Administratës, Edonis Haxhijaj, dhe Shefin e Shërbimit Teknik, Shefqet Kryeziu, kanë vizituar nga afër punimet që po zhvillohen në ambientet e brendshme dhe të jashtme të spitalit.


Aktualisht, punimet janë të përqendruara në disa projekte, përfshirë renovimin e Repartit Internistik, renovimin e Repartit të Pulmologjisë, renovimin e ambulancave specialistike të TBC-së, ndërtimin e kanalit kullues, si dhe pastrimin dhe rregullimin e hapësirave gjelbruese përreth spitalit.

Nga menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës theksohet se këto projekte synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për pacientët dhe stafin shëndetësor. /Telegrafi/