Kombëtarja e Shqipërisë po e ëndërron kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026, ndërsa ka kualitetin për ta bërë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve, kështu deklaroi në një intervistë për Telegrafin ylli i Lecces, Medon Berisha.

Mesfushori nga Kaçaniku po kalon një edicion fantastik te Lecce, sidomos muajin e kaluar, ku ka fituar disa herë çmimin “Lojtari i ndeshjes” si dhe me gola e asiste e ka ndihmuar klubin italian edhe të fitojë pikë, siç ishte ndeshja me Fiorentinën ku supergoli i këtij të fundit e bëri dallimin.


Në një intervistë të gjatë për Telegrafin, Berisha ka komentuar synimet me Kombëtaren shqiptare, ku janë afër ta sigurojnë një vend në play-offin e Kupës së Botës.

Ai thotë se ka realizuar një ëndërr kur përfaqësoi fanellën “Kuq e Zi” në Kampionatin Evropian 2024, por krejt fokusi tani është kthyer te Botërori.

“Ëndërr e kam pasur të luaja në Kampionatin Evropian, gjë që mu bë realitet dhe tash po ëndërroj që të shkojmë në Botëror për herë të parë”, ka thënë fillimisht Berisha për Telegrafin.

Medon Berisha dhe Sergio Busquets

Shqipëria muajin e kaluar gëzoi të gjithë shqiptarët anë e mbanë globit me një fitore të madhe në Leskovc ndaj Serbisë. Berisha e ka vlerësuar këtë triumf si historik.

“Ndaj Serbisë ka qenë fitore historike, jemi të kënaqur që më shumë punë kemi arritur ta bëjmë realitet ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Tani duhet të fokusohemi vetëm te Andorra dhe t’i marrim pikët e plota pasi kuptohet synimi kryesor mbetet play-offi i Kupës së Botës”.

Të enjten Shqipëria udhëton në ndeshjen ‘vendimtare’ në Andorrë, ndërsa mesfushori nënvizoi se objektiv mbetet vetëm fitorja.

“Andorra është një skuadër jo e lehtë, që mbrohet mjaftë mirë. Që nga dita e parë do të fokusohemi dhe të punojmë fortë për të marrë vetëm fitore. Synimi është vetëm fitorja”.

Përpos Andorrës, Berisha premtoi se do të japin më shumë se 100 për qind edhe në përballjen e fundit, me Anglinë në “Air Albania”.

“Me Anglinë kuptohet do të jetë mjaftë vështirë. Anglia në secilën pozitë ka yje që luajnë në top ligat evropiane. Do ta japim mbi 100 për qind në fushë”, nënvizoi ai.

Medon Berisha

22-vjeçari ka komentuar edhe edicionin që po kalon te Lecce. Aktualisht ka zhvilluar nëntë paraqitje në Serie A, gjashtë prej tyre si titullar, kurse ka kontribuar me dy gola e një asistim.

“Ky sezon ka nisur mirë, jam i lumtur që kam arritur ta ndihmoj klubin me ato gola dhe asist, por kuptohet është vetëm fillimi dhe më duhet të punoj edhe më shumë. Dua që të punoj sa më shumë, të qëndroj me këmbë në tokë dhe të vazhdoj me të njëjtën disiplinë për të arritur sa më lartë. Kuptohet shpresoj që të mos lëndohem”.

“Nuk e kemi nisur mirë edicionin faktikisht pasi pësuam disa humbje, por tani jemi këndellur. Synim mbetet qëndrimi së paku në mesin e tabelës dhe të vazhdojmë me këtë formë pozitive”, shtoi ai.

Lecce ka besim të plotë te Berisha dhe këtë e dëshmoi kur ia dha shiritin e kapitenit në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj AC Milanit. Lojtari me prejardhje nga Kosova deklaroi se ishte një ndjenjë e veçantë, sidomos duke ditur faktin se “San Siro” gjithnjë është i mbushur me afër 80 mijë tifozë.

Medon Berisha kundër AC Milanit

“Të jem kapiten në San Siro, ku stadiumi ka rreth 80 mijë tifozë thuajse në secilën ndeshje është ndjenjë e veçantë. Faleminderit klubit që ma ka besuar shiritin e kapitenit. Ndjenjë e veçantë që s’përshkruhet me fjalë”, përfundoi ai për Telegrafin.

Kujtojmë se Shqipëria të enjten përballet me Andorrën kurse vetëm tre ditë më vonë e pret Kombëtaren e Anglisë midis Tiranës./Telegrafi/

telegrafi sport app