Futbollistët e Interit dhe Barcelonës do të përballen sonte në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Takimi i parë dhuroi spektakël të vërtetë dhe përfundoi me rezultat të barabartë 3-3, kështu që sfida në “Giuseppe Meazza” do të përcaktojë finalistin e parë të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.

Fituesi i kësaj përballjeje do të përballet në finale me më të mirin nga çifti PSG–Arsenal, ku ndeshja e dytë zhvillohet nesër (e mërkurë).


Stadiumi pritet të jetë i mbushur plot, gjë që nuk vihej në dyshim duke pasur parasysh interesimin e madh për këtë ndeshje, raporton Gazzetta dello Sport.

Përballë 75,000 tifozëve, pritet të vendoset një rekord historik për të ardhura – më i larti ndonjëherë në një ndeshje të një klubi italian.

Interi do të thyejë rekordin aktual, pasi priten rreth 14 milionë euro të ardhura, shumë më tepër se rekordi i mëparshëm prej 12.5 milionë eurosh, i vendosur dy vjet më parë në gjysmëfinalen kundër Milanit.

Kjo do të jetë hera e dytë këtë sezon që Interi arrin të ardhura dyshifrore në milionë euro, pas atyre prej 10 milionë eurosh në çerekfinalen ndaj Bayern Munich.

Para ndeshjes, tifozët do të jenë pjesë e një koreografie madhështore që do të përfshijë të gjithë stadiumin, në të tri tribunat. Çdo spektator do të ketë një flamur zikaltër që do ta valëvitë në sinjalin e spikerit të stadiumit, duke krijuar një atmosferë unike. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app