Punëtorët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë kanë pezulluar përkohësisht grevën e paralajmëruar për sot, pas zhvillimeve të fundit lidhur me pagesat e tyre.

Vendimi është marrë pas një takimi ndërmjet kryetarit të Federatës së Sindikatave të Pavarura të Shëndetësisë së Kosovës, përfaqësuesve të Shoqatës Sindikale të QKMF-së dhe Drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë në Prishtinë.


Sipas njoftimit, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë ka premtuar se pagat e punëtorëve do të ekzekutohen më së largu deri më 14 maj 2025.

Duke u bazuar në këtë zotim dhe me insistimin e përfaqësuesve sindikalë, punëtorët kanë vendosur të presin deri në afatin e përcaktuar.

Në rast se pagat nuk realizohen brenda këtij afati, është paralajmëruar se greva do të nisë më 15 maj 2025. /Telegrafi/