Bashkërisht, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Shoqata Sindikale e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatri Kombëtar do të formojmë një grup punues për ndryshimin e rregullores për paga të aktorëve. Kështu u shpreh në një konferencë për media, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Me këtë marrëveshje mes palëve, pezullohet greva e aktorëve të teatrit dhe nga fillimi i vitit 2018, aktorët por edhe të gjithë krijuesit e performuesit nëpër institucionet tjera të kulturës do t’i marrin rrogat me rritje, në bazë të rregullores së re që do të hartohet nga ky grup punues.


foto1 3

“Më lejoni t’i falënderoj përfaqësuesit e Shoqatës Sindikale për mirëkuptimin dhe për gatishmërinë që këto tre muajt në vijim bashkërisht të punojmë në plotësimin e këtij dokumenti dhe që nga janari Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në koordinim edhe me Ministrinë e Financave, me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës të marrin vendim për rritje të pagave për këto kategori dhe për këtë jemi dakorduar edhe me Shoqatën Sindikale”, tha ministri Gashi.

“Jemi në fazën e hartimit të buxhetit për vitin 2018 dhe bashkërisht do të ulemi dhe do të shohim sa do të ketë implikime buxhetore rritja e pagës për të gjithë krijuesit dhe përformuesit që do të parashihen me rregullore, pas plotësim-ndryshimit të saj”, u shpreh ndër të tjera ministri.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Sindikale, Ismet Azemi, u shpreh se pas takimeve të shumta kemi arritur në një marrëveshje dhe me këtë hap kemi arritur një qëllim të rëndësishëm sa i përket kërkesave tona dhe përmbush nevojat e komunitetit tonë.

foto2 4

Dhe me këtë e shprehim mirënjohjen dhe falënderimin për gatishmërinë e ministrit dhe të MKRS-së për të arritur deri tek realizimi i zotimeve tona.

Telegrafi ditë më parë kishte kërkuar sqarim në Ministrinë e Kulturës, të cilët kishin komentuar mbi rrëmujën e krijuar dhe negociatat me aktorët.

"Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi, ndër takimet e para që ka zhvilluar me ta marrë detyrën është takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Teatrit Kombëtar me ç’rast është njoftuar rreth kërkesës që kanë aktorët e Teatrit Kombëtar për rritje të pagave. Ministria e Kulturës, dhe Ministri Gashi, kërkesën e aktorëve të teatrit Kombëtar që nga fillimi e konsideruar si të drejtë dhe legjitime, andaj Kabineti është angazhuar që zhvilloj takime me aktorët e Teatrit Kombëtar me qëllim të dialogimit për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate në përputhje me kërkesat e tyre.

Marr për bazë faktin se rritja e pagave nuk është në kompetencat e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, megjithatë Ministri Gashi në përputhje me mandatin e tij ka qenë i përkushtuar që ta adresoj kërkesën e sindikatës së aktorëve të teatrit Kombëtar tutje, por edhe të Krijuesve dhe Performuesve të Kulturë si dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore . Andaj ne jemi të bindur se aktorët e Teatrit Kombëtar do e vazhdojnë punën e tyre dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta që fillimisht të jenë pjesë e grupit punues për ndryshimin e rregullores për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore, si dhe për ta adresuar këtë dokument në Qeverinë e Republikës së Kosovës për miratim. Sigurisht që i gjithë ky proces do zhvillohet në muajt në vazhdim gjatë këtij viti me qëllim që nga fillimi i vitit të ardhshëm kjo kategori e shoqërisë sonë të ketë paga të dinjitetshme ashtu siç e meritojnë", ka qenë përgjigja e Ministrisë së Kulturës për Telegrafin.

foto3 2

foto4 1