LAJMI I FUNDIT:

“Lulet e së keqes” dhe pesëdhjetë vjet për një përkthim: Takimi i vitit 1968 me Bodlerin, përmes një libri të shqepur

“Lulet e së keqes” dhe pesëdhjetë vjet për një përkthim: Takimi i vitit 1968 me Bodlerin, përmes një libri të shqepur
Primo Shllaku

Përmes një dere gjysmë të hapur, studenti i dikurshëm kujton një sirtar që hapej. Dy duar mbështjellin diçka me gazetë. “Pakoja” i jepet në dorë kur rruga boshatiset pas një ecjeje që kontrollon kalimtarët. Mes mëdyshjes e drojës porositet të ketë kujdes. Askush veç tij s’duhet ta shohë. 50 vite më pas, Primo Shllaku është thinjur, ka mbërritur moshën e profesorit dhe ka në duar të përkthyer në shqip, “Lulet e së Keqes” të Bodlerit (Charles Baudelaire). Historia e një libri të shqepur, pa kapakë, që ai e hapi ta lexonte teksa shkonte me tren në Elbasan, tanimë vjen e rrëfyer në vetë të parë, nga poeti përkthyes.

Intervistoi: Fatmira Nikolli

– Që kur ju ka lindur ideja të merreshit me tekstet poetike të Baudelaire-it?

Në vitet e shkollës së naltë, aty nga 1968, flitej intensivisht për poetët francezë të avangardës, ndër të cilët Baudelaire-i mbahej si nismëtari. Flitej edhe për “Lulet e së Keqes” si për nji legjendë, por tekstet e tij gjendeshin me pikatore vetëm në formë citimesh të vogla me korsiv, ose ndokush mbante mend vetëm “parajsat e tij artificiale” si e vetmja lavdi e tij.

Nji herë, në nji takim timin me profesorin e nderuem, mikun e prindëve të mi, latinistin e shquem, Henrik Lacaj, me të cilin kisha krijue edhe unë nji marrdhanie të mirë të natyrës pedagog-student.

Mbaj mirë mend se po hanim nga nji zupë tek ‘Flora’ dhe aty e pyeta nëse mund të më thoshte diçka rreth këtij autori për të cilin pak dija edhe sa i përket kronologjive të tij. “Asht romantik në thelb, më tha, por nismëtar i modernisë dhe njeri me jetë shumë të trazueme”. Fjalët e tij më ndezën edhe ma tepër. Krejt papritmas ai më tha: “E kam në shpi nji botim të keq të ‘Luleve të së Keqes’”. “Si i keq?” e pyeta unë. “Asht i shkapun fletësh dhe pa kopertinë,” më spjegoi prof. Henriku. “S’ka gja prof,” u hodha e i thashë, “e rregulloj unë, se due ta kopjoj.” Profesori qeshi në hundë dhe nuk e zgjati ma. Mbaj mend që pati nji pauzë mendimi.

– Kur e more librin?

Nji herë tjetër e takova në fakultet dhe më tha të shkoja me të në zyrën e pedagogëve. Shkova mbas tij. Ai hyni mbrendë dhe mbylli derën. Unë mbeta jashtë. Dikush hapi prap derën për të dalë dhe unë e shquejta profesor Lacajn që po hapte me çelës nji sirtar të nji rafti sirtaresh në katin e tij ma të naltë.

Doli me diçka të pështjellë me gazetë dhe u nisëm. Rrugës kur e hetoi se nuk kishin shumë njerëz rrotull, ma dha gjanë e pështjellë me gazetë. “Kije kujdes se asht vetëm për ty e tjetërkujt s’i duhet gja.” E shikova në fytyrë profesorin tim dhe pashë të ndeme në të njilloj kujdesi e mëdyshje. “Mos kij gajle, profesor, se do ta rregulloj dhe do ta kthej për pak kohë.” “Mirë”, tha ai dhe i shndritën sytë.

Në fundjavë u nisa për Elbasan, ku asokohe banoja familjarisht dhe e hapa gazetën me sendin e çmueshëm në të. Ishte nji libër i shkatërruem fletësh, ose nga lexime të shumta e prej duersh të ndryshme, ose nji libër që kishte ra nga avioni, kaq i shqepun dhe i çapërdisun ishte.

Masëpari u mora me lidhjen e tij. E pruna në fe. E lidha dhe i vuna nji kopertinë të fortë prej faeziti, të cilën e mbulova me nji kadife brazba-brazda ngjyrë jeshile si të ishte ndonji libër fetar i bektashijve. Mbasi mori formën e nji libri të fortë e solid, e çova tek piktori i teatrit “Skampa”, Enver Voci, i cili shkroi me bojna voji emnin e autorit, zi mbi nji sfond të verdhë “Baudelaire”.

– Ia ktheve më librin profesorit?

Këtë libër e kam edhe sot. Nuk ia çova kurr të zotit. As ai nuk ma kërkoi. Mendoj se po të mos isha marrë me kthimin e ktij autori në shqip, akti i mosdorëzimit do të kishte qenë akt i pastër vjedhje. Por, mbajtja e tij për të dhanë mbas pesëdhjetë vjetësh nji variant timin të “Luleve”, ma lehtëson disi ndërgjegjen dhe unë mendoj thanien kineze se ” të vjedhësh libra asht nganjiherë virtyt.”

– Cila ishte përshtypja jote e parë për tekstin e Baudelaire-it?

Nivelet e mia të njohjes së gjuhës frënge ishin modeste me gjithse kisha lexue shum autorë të prozës e të poezisë. Por, Baudelaire-i me lente jashtë dhe unë vetëm tek-tuk entuziazmohesha prej ndonji vargu ose strofe të cilën unë nuk e perceptoja simbolikisht siç e donte ai, por vetëm literalisht dhe vetëm. Mbaj mend se më patën përshtypë shumë vargje si “lulet shtrëngata i rinon”, ose strofa e famshme e poemës “Shatërvani prej gjaku”:

Te dashnia kërkova nji gjumë harrese prore,

por dyshek gjilpanash dashnia më doli,

i bamë me i dhanë me pi ktyne bija mizore.

Sprovat e mia të para për me e kthye në shqip Baudelaire-in ishin nji shtrimje e tyne lineare në prozë, në përpjekje për me gjetë kuptimin dhe semiologjine e vargut të tij. Por mund të them me siguri se dy ose tre variantet e para ishin komplet të mbushuna me keqkuptime dhe me pasaktësi të tekstit bodlerian.

– Ishte e vështirë të tingëllonin shqip apo nuk kishe me se ta krahasoje?

Vetëm mbas 1990 kur rashë në kontakt me tekste italishte dhe anglishte të ktij poeti vuna re se sa larg ndodhesha në qëllimin tim për ta dhanë kuptimin dhe imazhin piktorik të vargut bodlerian. Sidomos më ndihmuen pa masë tekste frënge spjeguese me destinacion shkollor që spjegonin dhe përimtonin gjithçka tek ky autor. Tekstet e Baudelaire-it ishin të mbushun me fusnota dhe kishin shum aparat leksikor. Spjegoheshin jo vetëm emna dhe personazhe të rangut të dytë të mitologjisë greke, por edhe fjalë të rralla që autori i përdorte me qëllim stilistik apo edhe për të realizue rimat.

M’u deshën rreth njizet vjet për me hy si i sigurtë nën strehën e gjanë poetike të Baudelaire-it dhe me u ndie atje si i shtëpisë. Ndërkaq kisha lexue studime rreth veprës së poetit dhe biografë të shquem të tij. Por kisha fillue edhe përkthimin e esesë së Jean-paul Sartre-it lidhë me Baudelaire-in, të cilën kisha ambicien ta botoja njikohësisht me “Lulet e së Keqes”. Për fat të mirë edhe këtë pikësynim e realizova falë bashkëpunimit me Rexhep Hidën, i cili e nxori në panairin e sivjetshëm këtë vepër pak të njoftun të Sartre-it, që në të vërtetë asht nji sprovë për nji psikologji ekzistencialiste.

– Cili ka qenë stili i punës me tekstet bodleriane?

Aritmetikisht jam marrë rrumbullak 50 vjet, 1968-2018. Ka qenë nji punë me stilin: puno e lene të pushojë. Kam përmbi 10 ose 12 variante përkthimi të poemave të ndryshme. Sidomos më kanë mundue për t’i sjellë në shqip poemat e tij emblematike si “Njeriu e deti”, “Zgalemi”, “Gjegjësitë”, “Coftina”, “Udhëtim në Kitherë”, “Udhëtimi” etj.

Kam qenë i ndërgjegjshëm që të mos sakrifikohet asgja nga vegimi piktorik dhe imazhineria e autorit për asnji kërkesë formale si rima ose asonanca. Kam synue esencialitetin e vargut dhe jo frymjen e tij. Kam synue pikturën dhe jo përshkrimin. Kam synue kadencen dhe jo harmonikat muzikore kur ato nuk vinin natyrshëm. Shqipja jonë si gjuhë me theks të lirë tonik dhe e mbushun me ganglione bashtinglloresh nuk ka qenë ndihmuese në zgjidhjen e adekuatësive formale në përkthim. Pra, që në krye të herës më asht dashtë me vendosë kritere përkthimi, tue u nisë nga bindja progresive se dhania në shqip e një Baudelaire-i total ishte e pamundun. I nisun nga përvoja e maparshme e përkthyesve të Baudelaire-it në shqip, ku nevojat e rimës dhe të izosilabizmit, të vendosuna si kriter parësor, e detyronin përkthyesin ta “frynte” vargun ose, çka asht edhe ma e keqja, të “shpiknin” fjalë për të sajue takimin “fatlum” të rimës. Këtë dukuni unë e kam përjashtue pothuejse gjithkund. Më interesonte një Baudelaire esencial dhe për të kam ba përpjekje konstante dhe të përvijueshme. Rezultati asht ai që shifet. Vlerësimi i tij nuk asht në dorën time. I mbetet lexuesit dhe kritikës. Lexuesin e kemi goxha memec, kurse kritikën goxha inekzistente. Punët tona kanë mbetë me hypë në peshore diku në ndonji datë mbas vdekjes. Nji shkak ma shum për me ia ba hysmetin jetëgjatësisë. Rroftë jeta pra e poshtë peshoret!

– Çfarë të thotë vetndjemja? Sa ia ke arritur e sa i kënaqur je me këtë që ti e ke quajtur vepër jete?

Unë shkruej për vete poezi dhe tashti i ka ardhë radha edhe vëllimit tim të katërt me poezi. Si i tillë gjatë përkthimit e kam ndie veten në fushën time të lojës e të krijimit. Mbajtja në dorë kaq gjatë, në mos tjetër, dëshmon sigurisht për ndjenjën time të naltë të përgjegjësisë. Së dyti, unë gjatë gjithë kohës kam qenë syhapun në atë që arrija të jepja në çdo stad të marrjes time me tekstet e poemave të Baudelaire-it. Ngadalë e ndieja se mbi “telajon” time të shqipes po rreshtoheshin “virtyte” adekuate të poezisë së tij. Në fazën time të fundit, pra këto dhjetë vitet e fundit, i sigurtë se e kisha zotnue semiotikën e poetit, pata ngenë të merresha me formën dhe kryesisht me rimat dhe izosilabizmin në funksion të ritmisë sipas metrave klasikë të shqipes. Ndërkaq për shkak të probiliteteve të mëdha që jep një tekst kaq i pasun me vargje, disa rima ishin dukë prej vetiu dhe shkëlqenin për natyrshmëninë e vetvetishmëninë e tyne. Diku tjetër me anë inversionesh ose prekjesh të lehta sinonimike ose parasinonimike kam arritë të shestoj rima të plota, por edhe asonanca tinglluese. Diku tjetër vargu ka dalë tronk dhe organizimin vjershëror e ka marrë ritmi që asht edhe shpirti i fundit i poezisë.

– Si u binde ta dorëzoje?

Kohët e fundit po e ndieja se nuk kisha ma se çfarë të shtoja e çfarë të ndreqja në të. Ky ishte edhe çasti kritik. Duhet ta vendosja botimin. Falë dashamirësisë dhe gatishmërisë së Ardian Marashit që më rekomandoi, veprën time e çoi në destinacion botuesja dhe poetesha Rita Filipi. Dhe jemi ktu në këtë pikë. Pra stadin e parabotimit kjo vepër nuk ofrohej ma për përmirësime. Mbase drita e botimit ka sugjerime të reja. Së shpejti do të përgatisim së bashku me z. Rita Petro dhe shtëpinë botuese Albas një botim luksi (version dhurate) të “Luleve së të Keqes” me kopertinë hard-cover dhe me veshje lëkure. Nga ana e mbrendshme botimi do të jetë dygjuhësh, majtas teksti frëngjisht sipas origjinalit dhe djathtas, për lavdinë ose turpin tim, teksti shqip. /Gazeta Shqiptare/