Përurohet objekti i renovuar i Shoqatës “Hareja” në Rahovec

Komuna e Rahovecit ka përuruar objektin e renovuar të Shoqatës së Pavarur të Gruas “Hareja”, një investim që synon përmirësimin e kushteve për fëmijët dhe komunitetin.
Projekti, i cili ka përfshirë renovimin e plotë të hapësirave të brendshme dhe të jashtme, si dhe rregullimin e oborrit, krijon kushte bashkëkohore, të sigurta dhe funksionale për zhvillimin e aktiviteteve ditore.
Sipas njoftimit, hapësirat e reja janë përshtatur posaçërisht për fëmijët, përfshirë ata me nevoja të veçanta, duke ofruar ambiente të rehatshme për edukim, terapi dhe programe të ndryshme zhvillimore.
Shoqata “Hareja”, e cila prej vitesh luan rol kyç në fuqizimin e grave, mbështetjen e familjeve dhe ofrimin e shërbimeve të rëndësishme sociale, konsiderohet një partner i rëndësishëm i komunës. “Përkrahja jonë për ta është e domosdoshme”, thuhet në njoftim.
Renovimi i objektit ka kushtuar gjithsej 464,324.30 euro, investim i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara për komunitetin. /Telegrafi/

















































