Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ftuar publikisht ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku në debat publik.

Kjo pasi, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Ministri Çeku akuzoi Komunën e Prishtinës se ka lidhur kontrata të kundërligjshme për katër projekte: punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”.


Për këtë, kryetari i Prishtinës, thotë se me këtë rast, ‘Çeku ka zgjedhur rrugën e mashtrimit dhe propagandës’, që sipas Ramës të justifikoj bllokimin e projekteve të Komunës.

“Sot, Ministri i Kulturës ka zgjedhur sërish rrugën e mashtrimit dhe propagandës, duke vazhduar me të pavërtetat e radhës për të justifikuar bllokimin e kundërligjshëm dhe sistematik të çdo projekti transformues në Kryeqytet! E ftoj publikisht Ministrin e Kulturës, bashkë me ekspertët e tij, në një debat të hapur publik”, ka shkruar Rama.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i MKRS, deklaroi sot se rastet e përmendura i kanë proceduar në Prokurori dhe në Polici.

“Të gjitha këto kontrata janë të lidhura kundërligjshëm, duke mos i respektuar procedurat e nevojshme për pajisje me leje dhe pëlqime të nevojshme. Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore”, tha Çeku në konferencë për media.

Kryetari Përparim Rama, më 07.04.2025, njoftoi se ka iniciuar kallëzim penal ndaj inspektorit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore.

Rama konsideron se të gjitha projektet transformuese në Prishtinë janë bllokuar dhe ndaluar nga autoritetet e nivelit qendror.

Dy ditë pasi Përparim Rama përuroi fillimin e punimeve për sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit vendosi një njoftim për ndalimin e punimeve.

Kjo nuk kaloi pa reagime nga pushteti komunal i Prishtinës, pasi atë ditë zyrtarë të Komunës përmes një Konference të thirrur për media paralajmëruan përsëri vazhdimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”. /Kallxo.com/