LAJMI I FUNDIT:

Përmbyllet konferenca rajonale e Vullnetarizmit Edukativ  

Përmbyllet konferenca rajonale e Vullnetarizmit Edukativ  

U mbajt sot Konferenca Rajonale e Vullnetarizmit Edukativ, e cila mblodhi rreth 150 përfaqësues dhe pjesëmarrës nga shtete si Argjentina, Rumania, Sllovakia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, në një ngjarje një-ditore ku u trajtuan tema dhe çështje lidhur me Vullnetarizmin Edukativ.

Konferenca filloi zyrtarisht me një fjalim hyrës nga Ministrja për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Arbërie Nagavci, e cila përgëzoi punën shumë-vjeçare të organizatës TOKA në fushën e arsimit në Kosovë.


“Tani në pozitën e Ministres vazhdojë t’i mbështesë fuqishëm të gjithë hisedarët brenda dhe jashtë institucioneve arsimore që ndërmarrin iniciativa për ta arritur synimin tonë të përbashkët – rininë kosovare maksimalisht të përgatitur për shekullin 21. Andaj jam këtu me ju sot”, u shpreh Nagavci.

Jehona Gjurgjeala, Drejtore e Organizatës TOKA, theksoi rëndësinë e Vullnetarizmit Edukativ në zhvillimin dhe përmirësimin e të mësuarit dhe mësim-nxënies tek të rinjtë në Kosovë dhe më gjerë.

Ajo tregoi se janë zhvilluar qindra projekte në mbarë vendin, por se qëllimi i tyre shkon përtej realizimit dhe impaktit të projekteve, të mësuarit e të rinjve përgjatë punës vullnetare është pikërisht synimi kryesor.

Konferenca vazhdoi me mbajtjen e dy panele kryesore me temat “Përse është i nevojshëm Vullnetarizmi Edukativ për të tashmen dhe të ardhmen e edukimit – reflektime nga e kaluara,” si dhe “Pedagogjia e Vullnetarizmit Edukativ si zhvillim i thellësishëm, shërbyes dhe profesional i mësimdhënësve”, të cilat u trajtuan nga panelistë lokal dhe rajonal.

Me përmbylljen e paneleve, pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë Panairin e Projekteve, i cili ekspozoi projekte nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Nga aty, pjesëmarrësit vazhduan angazhimin e tyre në dy punëtoritë e organizuara.

Ngjarja u përmbyll me ndarjen e çmimit për Vullnetarizëm Edukativ, me çrast, vendin e parë e fitoi Shqipëria, vendin e dytë Bosnje dhe Hercegovina ndërsa në vend të tretë u radhit Rumania.

Për të mësuar më shumë, vizitoni ueb-faqen zyrtare të TOKA: http://toka-ks.org/Al/news/775/konferenca-rajonale-e-vullnetarizmit-edukativ-vjen-ne-prizren/  

Ky projekt mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut EIDHR. /Telegrafi/