Klubi nga Skenderaj, FC Drenica është shpallur kampion i stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futsall, pasi është mbyllur pjesa e parë pas përfundimit të ndeshjeve të javës së nëntë.

FC Drenica ka shënuar fitore ndaj FC Drenasit me rezultat 2-0, duke ruajtur pozitën e parë dhe do të dimërojë në krye, ndërsa FC Trepça ka shënuar fitore ndaj FC Malishevës me rezultat 9-3.


FC KEK-u ka marr tri pikë si mysafir i FC Mabetex Prishtinës pas fitores me rezultat 2-1, teksa FC Shtimja 26 ka arritur të fitojë FC Liqenit me rezultat 5-3.

Kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës në futsall, FC Prishtina 01 ka pushuar këtë javë.

Stinorin vjeshtor e mbyll në krye FC Drenica me 24 pikë, të gjitha fitore, ndërsa pas tyre vjen FC Prishtina 01 që ka 21 pikë në pozitën e dytë.

FC Shtimja 26 është e treta me 15 pikë, ndërsa FC Mabetex Prishtina zë vendin e katërt me 12 pikë.

Në vendin e pestë është FC KEK-u me 10 pikë, ndërsa FC Liqeni, FC Trepça dhe FC Malisheva kanë nga 7 pikë në pozitat gjashtë, shtatë dhe tetë.

Në fund është FC Drenasi me 3 pikë. /Telegrafi/

telegrafi sport app