KQZ nis rinumërimin në disa vendvotime në Mitrovicë, Kamenicë dhe Podujevë

Të hënën rreth mesnatës është përmbyllur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura nga jashtë Kosovës, të cilat janë dërguar përmes postës nga 22 shtete të ndryshme.
Pas kësaj faze, ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve me urdhër të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa gjatë ditës së sotme do të vazhdohet me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.
Kështu ka njoftuar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
"Të hënën rreth mesnatës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës. Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë", ka deklaruar Elezi.
Ai bëri të ditur se rinumërim të disa vendvotimeve do të ketë në tri komuna.
"Pas përfundimit të këtij procesi, në QNR ka filluar puna në rinumërimin e 5 vendvotimeve, për të cilat ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Patashtresa. Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06); Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02)", theksoi ai.
Elezi shtoi se në vazhdim të aktiviteteve të planifikuara, gjatë ditës së sotme në QNR do të fillohet me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
"Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve", pohoi ai.
Ndër të tjera, Elezi tha se fillimisht, planifikohet që të bëhet numërimi i fletëvotimeve me kusht nga komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listave të votuesve.
"Në votimin me kusht janë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime që i takojnë dy lloje të zgjedhjeve, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467", shtoi ai.
Elezi deklaroi se gjithashtu në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve.
"Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht", nënvizoi ai.
Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 12 tetor./Telegrafi/



















































