Përfundojnë renovimet në katër objekte të kujdesit parësor shëndetësor në Klinë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) "Nënë Tereza" në Klinë ka njoftuar për përfundimin e renovimeve në katër objekte të kujdesit parësor shëndetësor, me qëllim të përmirësimit të kushteve për ofrimin e shërbimeve mjekësore.
Sipas njoftimit, janë renovuar Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF) në Ujmirë dhe Sferkë, si dhe Ambulancat e Mjekësisë Familjare (AMF) në Cerovikë dhe Gllarevë.
Drejtues të QKMF-së kanë vizituar objektet e renovuara, duke vlerësuar se ato tashmë ofrojnë kushte moderne për pacientët dhe personelin shëndetësor.
"Të gjitha janë në një gjendje të mrekullueshme, duke ofruar kushte moderne për shërbimet shëndetësore", thuhet në njoftim.
QKMF "Nënë Tereza" ka falënderuar Komunën e Klinës, kryetarin Zenun Elezaj, Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si dhe drejtorin Agron Bacaj për investimet e realizuara në sektorin e shëndetësisë.
Sipas njoftimit, investimet kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve për ofrimin e kujdesit parësor shëndetësor, veçanërisht në zonat rurale.
"Kujdesi parësor shëndetësor në Komunën e Klinës tani ofron shërbime edhe më cilësore në zonat rurale, falë kushteve të përmirësuara në këto objekte", thuhet në njoftim.
Nga QKMF-ja bëhet e ditur se investimet në infrastrukturën shëndetësore do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synim afrimin e shërbimeve sa më cilësore pranë qytetarëve.
"Renovimet do të vazhdojnë edhe tutje, duke e bërë dhe ofruar kujdesin shëndetësor më afër qytetarit", përfundon njoftimi. /Telegrafi/


































