Përdorte ChatGPT për taktika dhe vendime, drejtuesit e klubit shkarkuan trajnerin pasi po i rrëzonte nga kategoria

Ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Sochit, Andrei Orlov, ka zbuluar se si ish-trajneri kryesor i klubit, Robert Moreno, e përdori ChatGPT në punën e tij dhe në çdo vendim rreth ekipit dhe ndeshjeve.
Moreno udhëhoqi ekipin rus nga dhjetori i vitit 2023 deri në shtator 2025 dhe drejtuesit e klubit vendosen ta shkarkojnë pasi një fillimi të dobët të sezonit dhe vetëm 1 pikë në 7 ndeshjet e para pas rikthimit në ligën superiore.
Aktualisht, nën udhëheqjen e Igor Osinkin, Sochi zë vendin e fundit, të 16-të, në renditjen e kampionatit rus me nëntë pikë dhe Orlov tashmë e ka akuzuar Morenon rreth punës së tij duke e cilësuar si një trajner që nuk pranonte mendimet e të tjerëve.
"Moreno nuk i respektonte fare asistentët dhe lojtarët e tij - njerëzit e ndienin këtë. Asistentët ishin vetëm ekzekutorë, ata kurrë nuk mund ta mbronin pozicionin e tyre", ka thënë fillimisht Orlov për championat.com.

Ai gjithashtu theksoi pa-efektshmërinë e Morenos sepse, pavarësisht rezultateve të dobëta, qasja ndaj lojës nuk ndryshoi.
"Gjatë krizës, Moreno tregoi se ishte një tifoz i ChatGPT", shtoi ai, ku si shembull përmendi përgatitjet për ndeshjen jashtë fushe në Khabarovsk.
"Roberti tha: 'I kam zgjidhur të gjitha. I kam futur të gjithë parametrat e ndeshjes jashtë fushe në ChatGPT. Duhet të fluturojmë ditën e ndeshjes. Në Sochi, do të stërvitemi një orë më parë dhe dy ditë para nisjes, do të fillojmë stërvitjen në orën shtatë të mëngjesit'", tha ai.
Pasi Orlov e shqyrtoi prezantimin, ai e kuptoi se plani do t'i mbante lojtarët zgjuar për 28 orë.
"Unë thashë, 'Robert, kjo është shumë mirë, por kur do të flenë djemtë?' Moreno futi parametrat e rinj, prezantimi u përditësua. Në fund, ne vazhduam me orarin që kishte hartuar ChatGPT".

Përzgjedhja e lojtarëve bazuar në analizën e inteligjencës artificiale
Inteligjenca artificiale u përdor gjithashtu në përzgjedhjen e lojtarëve. Verën e kaluar, klubi rus po kërkonte një sulmues dhe përzgjedhja përfshinte Vladimir Pisarski, Pavel Meljosin dhe Artur Susenacev.
"Moreno futi të dhënat e Pisarski, Meljosin dhe Susenacev nga Ëyscout në ChatGPT. Sipas GPT, Susenacev ishte më i miri", tha Orlov.
Kur u pyet nëse një qasje e tillë i dukej absurde, Orlov shpjegoi se përdorimi i mjeteve shtesë në vetvete nuk ishte problematik.
"Një mjet shtesë - pse jo? Por për Morenon, ChatGPT në një moment u bë një nga kryesoret", përfundoi Orlov.

Ndryshe, Moreno është një ish-trajner i Spanjës dhe gjithashtu ka drejtuar Monacon. Si trajner, ai u rrit përmes akademisë së Barcelonës dhe punoi si asistent në ekipin e parë. Ai gjithashtu punoi si asistent te Celta Vigo dhe Roma, dhe si trajner kryesor te Granada.
Moreno në të kaluarën është lidhur edhe me stolin e Kombëtares së Kosovës, teksa te asnjëra prej këtyre skuadra nuk ka pasur deri tani ndonjë sukses të veçantë. /Telegrafi/




















































