LAJMI I FUNDIT:

Përdhunimi po përdoret si armë në Ukrainë, duhet të trajtohet si krim lufte

Përdhunimi po përdoret si armë në Ukrainë, duhet të trajtohet si krim lufte

Nga: Gaby Hinsliff / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Duken si mesazhe të ndonjë aplikacioni të pakëndshëm për takime ose si një lloj i shthurjes së padëshiruar që njihet nga shumë gra të reja që kanë qasje në mediat sociale.

Një burrë ofron ndarjen e “një shtrati të madh, ku mund të flemë së bashku” e pastaj le të ndodhë “ajo çfarë duam ne”. Një tjetër është i prirë ta bëjë me dije gruan që do ta pranojë se është “kaq e bukur”, ndërsa i treti menjëherë pyet: “A je beqare”? Por, këto nuk janë raste të vjetra të uverturave seksuale. Këto janë mesazhet për gratë që ikin nga Ukraina e shkatërruar nga lufta, në një grup në Facebook që kërkon përputhje mes refugjateve dhe britanikëve që ofrojnë strehim. Parodia groteske e strehimit bën që disa njerëz të duken si shans i mirë për të ikur nga kërcënimi i përdhunimeve prej ushtarëve rusë, por kjo është kështu nëse ke mundësi ta mbyllësh natën veten në një dhomë tjetër gjumi. Një gazetare e fshehtë që poston si refugjate, ka vërejtur se më shumë se gjysma e mesazheve vinin nga burrat që jetonin të vetëm, disa me kërkesa të qarta – në ofertat e tyre – për lidhje pa obligime.


Çfarë soji i burrit është ai – mund të pyesësh ti – që në tragjedi e sheh mundësinë për seks? Epo, pas tërmetit të vitit 2010 në Haiti, ishin punëtorët britanikë të organizatave humanitare ata që vendaset e dëshpëruara i paguanin për seks. Në Somalinë e shkatërruar nga lufta, të tillë ishin paqeruajtësit belgë dhe italianë të dërguar nga OKB-ja. Në kampet e improvizuara të refugjatëve në veri të Francës, trafikantët e mishit të bardhë ishin në kërkim të klientëve potencialë. E, sot, në kufijtë mes Ukrainës dhe shteteve fqinje janë trafikantët e seksit që maskohen si samaritanë të mirë e që grave të pakujdesshme ua ofrojnë transportin.

Kudo ku ka konflikt, ka kaos, përçarje dhe momente të shkujdesjes nga gratë dhe fëmijët, dhe parashikimi është se gjithmonë do të ketë njerëz të ligj që e shfrytëzojnë këtë rast. Por, parashikimi na ndihmon që këto raste të parandalohen. OKB-ja ka kërkuar nga qeveria britanike që të mos i lejojë burrat beqarë që t’i strehojnë gratë refugjate, sugjerime mbi të cilat Michael Gove (ministër i kabinetit që është përgjegjës për skemën e strehimit për refugjatët) duhet të veprojë e t’i zhvillojë politikat. Megjithatë, sfida më komplekse që na del këtu është ajo që ndërlidhet me nivelin e tmerrshëm të përdhunimeve sistematike seksuale brenda vetë Ukrainës ku – pas tërheqjes nga qytetet dhe nga fshatrat e pushtuara – rusët i lirojnë viktimat e ato dalin e flasin për ngjarjet që kanë përjetuar.

Korrespondentja e luftës, Christina Lamb, në librin e saj “Trupat tanë, fushëbeteja e tyre”, ka shkruat se përdhunimi është “arma më e lirë e njohur për njeriun”, që zbatohet me plan e qëllim të njëjtë si bombat dhe plumbat. Qëllimi është frikësimi, degradimi dhe tmerrimi i civilëve, e në disa kultura që të jenë të sigurt se viktimat pastaj do të refuzohen nga familjet. Por, disa rrëfime që na vinë sot nga Ukraina e kanë një dimension shumë më të keq – me të cilin të gjithë jemi të njohur nga luftërat e spastrimit etnik – e ky është synimi që gratë t’i mbajnë fëmijët e ushtrisë pushtuese.

Në kampet e përdhunimit të ngritura nga ushtarët serbë gjatë luftërave ballkanike, viktimave u është thënë se do të detyrohen t’i mbajnë foshnjat serbe. Në Irak, Shteti Islamik i ka trafikuar dhe skllavëruar në mënyrë sistematike gratë nga pakica e jazidi – si pjesë e fushatës për ta shkatërruar komunitetin përbrenda – duke e ditur se fëmijët e lindur nga përdhunimi do të konsiderohen myslimanë e jo jazidi.

Avokatja e Popullit në Ukrainë, Lyudmyla Denisova, ka raportuar se 25 vajza dhe gra të moshës 14-24 vjeçare u mbajtën nga ushtarët rusë në një bodrum në Buça, nën kërcënimin se “do t’i përdhunonin deri masën kur ato nuk do të duan më asnjë kontakt seksual me ndonjë burrë, për t’i parandaluar ato që të mbajnë fëmijë ukrainas”. Nëntë nga to tashmë janë shtatzëna. Mesazhi brutal është se edhe nëse ukrainasit nuk do të pranojnë të jenë rusë, fëmijët e tyre të palindur nuk do të kenë zgjedhje. Ndërkohë, Kievi pohon se fëmijët e Ukrainës janë zhvendosur me forcë përtej kufirit – prej qyteteve të pushtuara – për të siguruar adoptimin e shpejtë nga familjet ruse. Kur presidenti i ShBA-së, Joe Biden, këtë javë foli për gjenocidin në Ukrainë, avokatët u përgjigjën se nuk ende ka dëshmi të mjaftueshme për të përmbushur pragun ligjor për akuzën e tillë. Por, të paktën nga propaganda që na vjen nga Moska, mësojmë se kjo nuk është thjeshtë një luftë për territorin ose për interesat strategjike; se është luftë për të çrrënjosur gjithherë e më shumë idenë e të qenit ukrainas, duke e nënshtruar identitetin kombëtar në vorbullën e fantazisë së një Rusie të Madhe. Këto janë krime lufte, siç janë sulmet me armë kimike dhe këto duhet të ndiqen me të njëjtën vendosmëri.

Sekretarja e Jashtme Liz Truss, këtë javë e inicioi Kodin Murad – sipas Nadia Muradit, gruas jazidi fituese të Çmimit Nobel që e mbijetoi robërinë e Shtetit Islamik – që është lëvizje e mirëpritur për të përmirësuar mbledhjen e dëshmive prej të mbijetuarave nga mbarë bota. Por, Ukraina që tash po i grumbullon dëshmitë. Ajo që na duhet është ndihma për t’i sjellë autorët para drejtësisë.

Anëtarja e Dhomës së Lordëve, Arminka Helic, ka bërë thirrje për një trup të ri të përhershëm ndërkombëtar që heton, përndjek dhe që e vulos përdhunimin si krim lufte. Helic e di se për çfarë po flet: si refugjate nga Lufta në Bosnjë, u bë këshilltare speciale e sekretarit të Jashtëm, William Hague. Në vitin 2012 e bindi atë për ta krijuar nismën që merret me shfrytëzimin seksual në zonat e luftës, nismë që edhe sot jehon. Por, siç ka thënë ajo, “Mosndëshkimi është normë” në rastin e këtyre krimeve të luftës, meqë pasi janë më pak të dukshme sesa qytetet e bombarduara ose varret masive, ato shpesh nuk merren seriozisht. Trajnimi dhe kulturimi përbrenda forcave të armatosura, në mbarë botën, mund ta ndryshojë këtë qasje, por veç atëherë kur zyrtarët komandues përfundojnë tamam në bankën e të akuzuarve sepse i lejuan krimet seksuale të luftës si qëllim për ta goditur vatrën familjare. Ne mundemi dhe duhet të bëjmë më shumë se kaq. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori