PDK thotë se çmimet e produkteve bazike u rritën deri në 16%, akuzon qeverinë në detyrë se po godet sektorin privat

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa gjatë një konference për media ka ngritur shqetësimin për përshpejtimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazike në një kohë kur siç tha ai “Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur ta bllokojë Kuvendin, duke uzurpuar pushtetin qeveritar”.
Mustafa theksoi se sipas të dhënave për muajin prill, është regjistruar rritje dyshifrore e çmimeve të shumë produkteve jetike për familjet kosovare.
“Çmimet e produkteve si mishi, vajrat dhe yndyrat, pemët, si dhe kafja e çaji u rritën me nga 10 deri në 16.4%. Në anën tjetër, punëtorët, pensionistët dhe përfituesit e kategorive të ndryshme sociale vazhdojnë të mos kenë rritje të të hyrave”, deklaroi ai, duke shtuar se kostoja e jetesës po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme për qytetarët.
Mustafa gjithashtu theksoi se ekonomia vendore po përballet me rritje të theksuar të deficitit tregtar, si rezultat i rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve.
“Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, deficiti tregtar ka arritur në 1.4 miliardë euro”, tha ai.
Gjatë kësaj konference Mustafa u ndal edhe te vendimi për të kaluar një pjesë të bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si veprim të papërgatitur dhe të dëmshëm për ekonominë.
“Vendimi për të nxjerrë bizneset në tregun e hapur të furnizimit me energji pritet të rrisë me rreth 260% shpenzimet për furnizim me energji për bizneset që kanë mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Kjo mund të çojë në mbyllje të bizneseve ose dobësim të pozitës së tyre konkurruese, veçanërisht për eksportuesit,” theksoi ai.
Sipas tij, një tkurrje e mëtejme e eksporteve do të përkthehej në më pak vende pune, më pak të ardhura për familjet kosovare dhe më pak të ardhura tatimore për shtetin.
Mustafa kritikoi qeverinë për mungesë ndjeshmërie ndaj kësaj situate dhe për mungesë vullneti për zhbllokimin e institucioneve, duke i bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të marrë përgjegjësinë që i takon.
“Çdo ditë shtesë e kësaj bllokade po rëndon mbi të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës, si dhe mbi cilësinë e jetës së çdo familjeje në Kosovë. I bëjmë thirrje partisë që ka dalë e para në zgjedhje të hapë rrugë për formimin e një qeverie të përgjegjshme që punon për qytetarët,” përfundoi ai. /Telegrafi/


















































