PDK insiston për rivotim në Mitrovicë, ankohet në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Komunën e Mitrovicës.
PDK e konsideron të gabuar këtë vendim, duke theksuar se ai nuk reflekton realitetin e parregullsive të evidentuara gjatë procesit zgjedhor në këtë komunë.
“Sot, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar përmes postës zyrtare ankesën në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë. PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë”, thuhet në njoftim.
Sipas partisë, provat e paraqitura gjatë procesit të ankesës kanë treguar se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe vullneti i qytetarëve është manipuluar.
PDK ka kërkuar nga Gjykata Supreme një shqyrtim të plotë të çështjes dhe një vendim që do të garantonte integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.
Në njoftimin e PDK-së, theksohet se partia do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore deri në përfundimin e çështjes, për të siguruar korrigjimin e parregullsive dhe për të mbrojtur proceset demokratike në vend.
“Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


















































