Liverpooli ka njoftuar zyrtarisht se Andrew Robertson do të përfundojë qëndrimin e tij në klub në fund të sezonit aktual.

Pas gati një dekade në krahun e majtë të mbrojtjes, kapiteni i kombëtares së Skocisë do të largohet si lojtar i lirë, një emër shumë i kërkuar në tregun e transferimeve.


Ky vendim vjen në një moment transformimi të thellë për “Të Kuqtë”, ku figurat e tyre ikonike po nisin të kërkojnë horizonte të reja.

Liverpool po humb një nga liderët më të respektuar dhe më të zëshëm në dhomat e zhveshjes, si dhe një shtyllë të rëndësishme taktike në fushë.

Robertson ka zhvilluar mbi 370 paraqitje zyrtare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme profesionalizmi, përkushtimi fizik dhe stabiliteti, që do të jetë e vështirë të zëvendësohet në të ardhmen e afërt.

Që nga ardhja e tij nga Hull City, mbrojtësi i majtë e ka shndërruar krahun e majtë në një “autostradë” asistimesh dhe krosimesh precize.

Në karrierën e tij me klubin, ai ka fituar trofe të shumtë, përfshirë dy tituj të Ligës Premier dhe trofeun e Ligës së Kampionëve të fituar në Madrid.

Suksesi modern i Liverpoolit nuk mund të kuptohet pa bashkëpunimin e tij në krah, që ka ndihmuar në ndërtimin e një stili loje të shpejtë dhe sulmues.

Në moshën 32-vjeçare, mbrojtësi skocez beson se ende ka futboll të nivelit të lartë për të ofruar në sfidat e ardhshme ndërkombëtare dhe të karrierës së tij./Telegrafi/

telegrafi sport app