Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar pas mbajtjes së Kuvendit të kësaj partie, duke theksuar se anëtarësia është themeli dhe autoriteti më i lartë i LDK-së.

Përmes një reagimi publik, Veliu ka deklaruar se asnjë kryetar, asnjë kryesi, Këshilli i Përgjithshëm apo Kuvendi i partisë nuk mund të jetë mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së. Ai ka vlerësuar se pas humbjes së thellë në zgjedhje, zgjidhja nuk gjendet duke u mbështetur në struktura të kontrolluara, por duke dëgjuar zërin e bazës.


“LDK nuk është pronë personale, as e një rrethi të ngushtë. Ajo u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar, e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë”, ka theksuar Veliu.

Ai ka paralajmëruar se historia ka treguar se ata që dëmtojnë themelet e partisë dhe e shndërrojnë atë në interes personal, nuk mbahen mend si udhëheqës, por si ata që e kanë lënë të fundit.

Në fund të reagimit, Veliu ka shprehur shqetësimin dhe njëkohësisht urimin e tij për të ardhmen e partisë, duke përfunduar mesazhin me thirrjen: “Zoti e ruajt LDK-në!”.