Kryesia e Kuvendit ka ftuar mbledhje për datën 30.03.2026, pas rikthimit të funksionimit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në rend të ditës janë 16 pika.


Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pritet të mbahet mbledhja e cila në rend të ditës do ketë 7 projektligje për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, fillimin e procedurave për mungesat në emërimet në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare.

Marrëveshja për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor pritet të kalojë në Kuvend për ratifikim dhe shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.

Po ashtu, pritet të shqyrtohen projektligjet për ratifikimin e amendamentit numër 3 për programin IPA 2018, dhe amendamenti numër 2 për programin IPA 2017.

Në seancën e Kryesisë njoftohet se do jetë ratifikimi i marrëveshjes së kredisë për projektin e Efiçencës së Energjisë në ndërtesa publike dhe shqyrtimi i projektligjit për marrëveshje të kredisë për projektin e rrugës “Prishtinë – Mitrovicë”.

Gjithashtu “Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë” pritet të shqyrtohet dhe të kalojë në Kuvend për ratifikim.

Pikat e fundit të cilat priten të trajtohen në mbledhjen e kryesisë janë:

Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave;

Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë nga radhët e komunitetit shqiptar dhe për dy (2) anëtarë jo shumicë në Komisionin e Pavarur të Mediave;

Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë (6) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës;

Propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare.”

Puna e Kryesisë së Kuvendit u ndal pas shpërndarjes së Kuvendit nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila më 06.03.2026, si pasojë e kalimit të afatit 30 ditor para skadimit të mandatit aktual të saj kishte shpallur dekretin e shpërndarjes së Kuvendit.

Me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetueses është anuluar dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvednit.

Tani, deputetët do t’i kenë 34 ditë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Nëse dështon zgjedhja e kreu të shtetit, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme mbahen brenda 45 ditësh.