Paraburgim për 22 kryesues në Gjakovë, dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve të qendrave të numërimit, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka zhvilluar veprime intensive hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit brenda subjekteve politike.
Në kuadër të këtyre veprimeve, janë intervistuar gjithsej 22 kryesues, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në procesin e falsifikimit të rezultateve gjatë numërimit të votave.
Të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesë pranë gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe se do t’i trajtojë me prioritet të gjitha veprat penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve./Telegrafi/





















































