Studentët në Serbi u distancuan nga organizatat ekstremiste, që u shfaqën në një protestë para Gjykatës Kushtetuese në Beograd, në fund të javës së kaluar.
Në protestën e organizuar nga studentët, më 12 janar, u vunë re simbolet e disa organizatave të ekstremit të djathtë, si dhe flamuj të shumtë me hartën e Kosovës dhe me mesazhin “Nuk ka dorëzim”.
Duke analizuar pamjet dhe fotografitë, Radio Evropa e Lirë përcaktoi se flamujt në protestë u mbajtën nga anëtarë të degës së të rinjve të partisë opozitare parlamentare të krahut të djathtë, Partia e Re Demokratike e Serbisë (Novi DSS).
Në protestë u vu re edhe një përfaqësues i ekstremit të djathtë “Klub 451”.

Pamjet e publikuara tregojnë se ata që mbanin flamujt me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”, si dhe një pankartë me mbishkrimin “451”, fillimisht u mblodhën para Fakultetit Juridik të Beogradit dhe, më pas, me një kolonë studentësh u drejtuan drejt Gjykatës Kushtetuese.
“Klubi 451” i thirri nacionalistët në protestë
Në protestën e studentëve të mbajtur para Gjykatës Kushtetuese në Beograd u pa edhe një pankartë ku shkruhej “Rinia, Liria, Atdheu”, e nënshkruar nga shoqata e ekstremit të djathtë “Klub 451”.
Në radhët e para të studentëve të mbledhur, Radio Evropa e Lirë identifikoi Zhelko Gërbiqin, anëtar i kësaj lëvizjeje ultra të djathtë.

Në profilin e tij në Facebook thuhet se ai është student në Fakultetin Juridik në Beograd.
Gërbiq nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse “Klub 451” ka organizuar shkuarjen e anëtarëve të tij në tubimin protestues.

Më 13 janar, “Klub 451” postoi një video nga protesta në llogaritë e tij në rrjetet sociale. Në video dukeshin pankartat e diskutueshme, por jo edhe fytyrat e atyre që i mbanin ato.
Videoja u shoqërua me mesazhin: “E ardhmja është rinia dhe rinia është e ardhmja. Prandaj, është detyrë e çdo nacionalisti që të bëhet pjesë e së ardhmes së popullit të vet”.

Shoqata “Klub 451” u regjistrua më 9 gusht të vitit 2021 dhe përfaqësues i saj ligjor është Marko Gajinoviq.
Në statutin e saj, mes tjerash, thuhet se qëllimi i saj është ruajtja e kulturës dhe traditës serbe dhe evropiane, si dhe promovimi i tyre.
Grupi është aktiv në rrjetin Telegram, ku kanali i tij numëron 1.625 anëtarë.
Nga 1.400 postimet e tij mund të konstatohet se ai kundërshton pavarësinë e Kosovës, mbështet shkëputjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës, kundërshton integrimin e refugjatëve dhe publikon mesazhe urrejtjeje ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

Nga postimet e datës 10 janar në Telegram mund të shihet se grupi ka formuar edhe degë shtesë: “Rinia 451 Beograd” dhe “Rinia 451 Banja Lluka”.
“Klubi 451” është i lidhur me grupet e ekstremit të djathtë “Zentropa Serbia” dhe “Fronti Kombëtar Serb”.
Ai punon ngushtë edhe me disa organizata militante neo-naziste nga Evropa – “Casa Pound” në Itali, “Clermont Non Conforme” në Francë “Legio Hungaria” në Hungari.
“Klubi 451” nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për komente në këtë temë.
Të rinjtë e Novi DSS-së me flamujt “Nuk ka dorëzim”
Siç mund të shihet në pamjet e publikuara, në protestën e studentëve para Gjykatës Kushtetuese në Beograd morën pjesë edhe përfaqësues të rinisë së Partisë së Re Demokratike të Serbisë.
Në videot në dispozicion, REL-i identifikoi Vuk Marinoviqin, kryetari i rinisë së Novi DSS-së, Urosh Tomasheviqin, anëtar i Bordit ekzekutiv të rinisë së Novi DSS-së, dhe Nikolla Illiqin, i cili, sipas të dhënave në rrjetet sociale, është gjithashtu anëtar i rinisë së Novi DSS-së dhe student në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.
Në protestë, ata mbanin flamuj me hartën e Kosovës dhe mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Kryetari i rinisë së Novi DSS-së, Vuk Marinoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se në protesta, masivisht, dalin anëtarë dhe aktivistë nga Partia e Re Demokratike e Serbisë.
“Disa studentë tanë të rinj i mbanin ata flamuj, të udhëhequr nga ideja se nuk ka asgjë më të natyrshme se të dalim para Gjykatës Kushtetuese me sloganet ‘Kosova është Serbi’ dhe ‘Nuk ka dorëzim’, sepse kështu e përcakton Kushtetuta, për respektimin e së cilës ne angazhohemi, ndërsa regjimi e shkel paturpësisht”, thotë Marinoviq.
Kush u distancua nga ultra e djathta dhe si?
Studentët që bllokojnë fakultetet në Serbi, njoftuan më 13 janar se “distancohen nga organizatat ekstremiste dhe simbolet e tyre”, e në asnjë mënyrë nga simbolet kombëtare, fetare dhe të garantuara me Kushtetutën e popullit serb.
Në një postim në rrjetin X, ata thanë se pas “polemikës” që shkaktoi deklarata e tyre e mëparshme për distancim nga organizatat ekstremiste, në një protestë para Gjykatës Kushtetuese në Beograd, “ndihen të detyruar ta sqarojnë atë deklaratë”.

Studentët që bllokojnë fakultetet, thanë më herët se “distancohen qartazi dhe pa mëdyshje nga organizatat ekstremiste dhe simbolet nacionaliste që u shfaqën gjatë protestave” më 12 janar.
“Prania e flamujve dhe pankartave të tyre në vijën e parë të protestave nuk është në përputhje me vlerat dhe synimet tona”, thuhet në deklaratë.
Aty theksohet, po ashtu, se bllokadat nuk kanë agjendë ideologjike dhe se studentët nuk mbështesin asnjë formë separatizmi apo polarizimi në shoqëri.
Një njoftim të veçantë në rrjetet sociale bëri edhe Fakulteti Filozofik i Universitetit të Beogradit.
Ai tha se i dënon “përpjekjet e organizatave naziste për t’i infiltruar protestat e studentëve”.
“Tradita e luftimit të nazizmit është diçka që e karakterizon popullin serb dhe, në përputhje me këtë, simpatizantët nazistë nuk kanë vend në protestat e studentëve”, thuhet në deklaratë.
Studentët që marrin pjesë në bllokimin e fakulteteve, u distancuan më herët edhe nga veprimet e të gjitha partive dhe organizatave politike.
Që nga fillimi i bllokadave, ata insistuan që të valëviten vetëm flamujt kombëtarë të Serbisë dhe emblemat e fakulteteve.
Në Serbi, më shumë se 60 fakultete në katër universitete shtetërore, disa rektorate dhe dhjetëra shkolla të mesme janë bllokuar prej javësh.
Studentët në bllokadë kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, streha e të cilit u shemb në fund të vitit të kaluar, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave.
Në mesin e kërkesave të tyre janë edhe heqja e akuzave ndaj të arrestuarve dhe të ndaluarve në protesta, si dhe ndjekja penale e përgjegjësve për tragjedinë në Novi Sad dhe e personave që rrahën studentë dhe profesorë gjatë protestave.
Përfaqësuesit e Qeverisë thonë se janë plotësuar të gjitha kërkesat dhe u bëjnë thirrje studentëve që t’i hapin fakultetet.
Akademikët, në anën tjetër, thonë se kërkesat janë plotësuar pjesërisht dhe se pezullimi i punës në fakultete do të vazhdojë deri në plotësimin e plotë të kërkesave. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Eksperti i sigurisë: Largimi eventual i ushtarëve amerikanë nga Kosova do të ishte shqetësues, problemi real janë raportet politike

Kush u bë e kush u zhgënjye, përmbledhje e kandidatëve për deputetë

Trump kritikon ndarjen e fondeve të USAID-it, përmend Kosovën dhe Serbinë

“Trupat amerikane mund të largohen nga Kosova”, shkruan Bild – mediumi gjerman sjell edhe skenarët e mundshëm për vendet e tjera evropiane

Gashi: Prokuroria s’pati nevojë ta detyrojë Kurtin përmes Gjykatës, çështja u politizua

Janë verifikuar mbi 38 mijë pako të votave të ardhura përmes postës

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Më të votuarit e LDK-së nga 60 për qind të votave të numëruara

Prokuroria Speciale kërkesë gjykatës për të urdhëruar Kurtin të paraqitet për të dëshmuar në prokurori

Trump pretendon se Ukraina e filloi luftën me Rusinë

"Kush është ky", momenti kur Gjesti ngatërron Jezusin me figurën e Çerçiz Topullit në spektaklin e BBVA

Kjo është lista e përditësuar me votat e kandidatëve për deputetë të PDK-së

Kryeziu: Konsullata e Kosovës në Shtutgart bëri skandal pasi organizoi përvjetorin e pavarësisë në qendrën islame