Disa tifozë të Juventusit janë lënduar pasi frika nga bomba ka nxitur panik në Piazza San Carlo të Torinos, ku ishin grumbulluar tifozët e Zonjës së Vjetër për ta shikuar finalen e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.

Rreth 20.000 njerëz ishin grumbulluar në qendër të qytetit për ta shikuar në ekranin e madh finalen e garës më të madhe për klube që u zhvillua të shtunën mbrëma në Cardiff.


Kur po afroheshin minutat e fundit të ndeshjes, menjëherë pas golit të tretë të Realit, është lëshuar një fishekzjarr i fuqishëm që ka nxitur panik.

Dhe nga frika e sulmeve eventuale, njerëzit filluan të iknin duke shkaktuar përplasje dhe lëndime ndërmjet njëri-tjetrit.

Pas shpërthimit në koncertin e Ariana Grandes në Mançester, në gjithë Evropën është përhapur frikë për sulme eventuale, prandaj në evenimente ku ka shumë njerëz gjithmonë krijohet panik.

Juventusi humbi me rezultat 4-1 në finalen e Ligës së Kampionëve, me ç’rast Real Madridi shkroi historinë duke u bërë klubi i parë që e fiton dy herë radhazi formatin aktual të kësaj gare. /Telegrafi/

telegrafi sport app