LAJMI I FUNDIT:

Pandemia e COVID-19 po dëmton bujqit e Krushës së Madhe

Pandemia e COVID-19 po dëmton bujqit e Krushës së Madhe

Me shtimin e masave nga Ministria e Shëndetësisë për parandalim e përhapjes së COVID-19, banorëve të fshatit Krushë e Madhe, të cilët merren me bujqësi, iu ka dëmtuar rëndë ekonomia familjare, për faktin se produktet të cilat janë të gatshme të dalin në treg do t’i mbesin në shtëpi.

Kryetari i këshillit të fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se prodhimet të cilat do të duhet të shiteshin në pranverë dhe të cilat tanimë i kanë bërë gati për treg, kanë mbetur pa u shitur, duke e rënduar kështu ekonomin e çdo familje në këtë fshat.


I pari i Krushës me këtë rast, i bëri thirrje qytetarëve të mos koncentrohen vetëm te produktet bazike, mirëpo të blejnë edhe me produktet që këta të fundit i prodhojnë.

“Në fakt jo vetëm ekonomia e Krushës por edhe e komunës dhe e tërë Kosovës është e rrezikuar për faktin se janë disa prodhime të cilat tani më janë të gatshme për në treg, mirëpo për shkak të kufizimit të lëvizjes edhe ato kanë ngelur të pa shitura gjë që ka bërë që ekonomitë familjare të bien. Shfrytëzoj rastin që të gjithë qytetarët të mos koncentrohen vetëm tek blerja e gjërave të cilat janë bazike, por të merren edhe me këtë tjerat pasi që këto janë të pastërta dhe të shëndetshme”, thotë Hoti.

E për t’i respektuar rregullat për parandalim e përhapjes së Coronavirusit, ai thotë se bujqësia në Krushë, po zhvillohet në grupe shumë të vogla e me raste edhe në mënyrë individuale.

“Normal se edhe kjo ka ndikuar, në bujqësi këtu në fshat pasi që fshati është një trevë bujqësore, mirëpo fermerët në mënyrë të përmbajtur konform rregullave të cilat janë dhënë nga Instituti i Shëndetit Publik, po punojnë në grupe të vogla apo edhe në mënyrë individuale”, deklaroi Hoti.

Sa i përket 28 të dyshuarve me Coronavirus, të cilët kanë pasur kontakt me personat që kanë shitur fidanë, Hoti thotë se janë nën përkujdesjen e ekipit mjekësor dhe deri më tani nuk kanë shfaqur simptoma të COVID-19.

“Ajo çfarë ne dimë për momentin, se të gjithë pacientët 28 nga ta të cilët, kanë pasur kontakt me personat që kanë shitur fidanë, ende janë nën kontrollin e doktorëve dhe në përkujdesje të tyre me shpresën se nuk do të kenë asnjë sëmundje apo simptomë, në bazë të dhënave që na ka dhënë doktori i qendrës, ata rezultojnë të lajmërohen dhe të kenë kontakt të rregull me doktorin në baza ditore, dhe deri më tani nuk kanë pasur ndonjë simptoma, çoftë ngritje temperature apo të përafërta me simptomat e COVID-19”, deklaroi Hoti.

Hoti kërkon nga qytetarët e Krushës të sillen konform rregullave të Institutit të shëndetësisë dhe qeveris së Kosovës.

Kujtojmë se në fshatin Krushë e Madhe, janë 28 të dyshuar me Coronavirus dhe deri më tani asnjë i konfirmuar.