LAJMI I FUNDIT:

Pakti Hitler-Stalin

Pakti Hitler-Stalin
Sulmi ndaj Polonisë

Adolf Hitleri dhe Josif Stalini ishin armiqtë më të mëdhenj. E, megjithatë, të dy diktatorët në gusht 1939 ranë dakord për një pakt mossulmimi dhe e ndanë Evropën Lindore mes tyre. Pasojat ndihen edhe sot.

Kjo llogari në fillim ia vlejti për të dyja palët. Për planin e tij për të sulmuar Poloninë, Hitleri siguroi neutralitetin e Bashkimit Sovjetik. Meqënëse fuqitë garantuese të Polonisë, Britania e Madhe dhe Franca do të viheshin në lëvizje prej këtij plani, ai përkohësisht e shmangu luftën në dy fronte. Përveç kësaj – me një marrëveshje tregtare të nënshkruar njëkohësisht – të dy diktatorët ranë dakord për shkëmbimin e furnizimeve me lëndë të para sovjetike kundrejt makinerive gjermane.

Në këtë mënyrë Hitleri donte t’i bënte ballë efektit të një bllokade të mundshme detare të britanikëve, që në Luftën e Parë Botërore ndikoi në humbjen e Gjermanisë. Stalini, nga ana e tij, besonte se Rajhu gjerman nuk do të përzihej në një luftë të gjatë me fuqitë perëndimore. Në afat të gjatë ai e konsideronte të pashmangshme një luftë kundër Rajhut gjerman dhe donte ta shfrytëzonte këtë periudhë për armatime të mëtejshme.

Ajo që ishte vendimtare nuk ishte përfshirë në marrëveshjen zyrtare, por në një protokoll sekret shtesë: Ajo i ndante në zona influence vendet mes Rajhut gjerman dhe Bashkimit Sovjetik, në rast të një “rikompozimi territorial-politik”. Kësisoj, p.sh. Estonia, Letonia, pjesa lindore e Polonisë dhe Besarabia rumune ishin përcaktuar si “sfera të influencës” së Bashkimit Sovjetik, ndërsa pjesa perëndimore e Polonisë nën influencën e Rajhut gjerman.

Më 1 shtator 1939, Vermahti gjerman sulmoi Poloninë. Dy javë më pas Ushtria e Kuqe marshoi në Poloni dhe pushtoi njëra pas tjetrës territoret e përcaktuara në sferën e influencës sovjetike. Ndarja e Evropës Lindore u realizua në dy javët e para të Luftës së Dytë Botërore që po niste. Ushtarakët gjermanë dhe ata sovjetikë, shërbimet sekrete dhe nëpunësit e administratës bashkëpunonin ngushtë mes tyre.

Polonia u zhduk sërish nga harta politike. Shtetet Baltike, që po ashtu si Polonia e fituan pavarësinë e tyre pas Luftës së Parë Botërore më 1919, u shndërruan në republika sovjetike. Besarabia rumune iu aneksua Republikës Sovjetike të Ukrainës. Kësisoj, Rumania praktikisht mbeti “nën kontrollin e Gjermanisë naziste”, shpjegon historiani rumun Cosmin Popa.

Për njerëzit në të dyja anët e vijës ndarëse, nisi një kalvar vuajtjesh të pafundme: Hitleri zbatonte ideologjinë raciste në hapësirën e tij dhe në territoret e pushtuara, duke vrarë miliona njerëz, ndërsa në pjesën sovjetike u dëbuan pjesë të mëdha të popullsisë dhe shumë të afërm të elitave të vjetra u vranë ose u deportuan në kampet e punës së detyruar.

Pakti Hitler-Stalin rezistoi gati dy vjet. Në qershor 1941, kur Hitleri vuri nën kontroll gjysmën e Evropës Perëndimore, ndihej mjaft i fortë dhe sulmoi edhe partnerët e aleancës. Ky ishte një mbivlerësim që do të ishte vendimtar për zhvillimet e mëtejshme. Qysh në dimrin që pasoi,. në aspektin ushtarak situata mori kthesë. Por, pavarësisht për popujt e “sferave të influencës”, kjo nënkuptonte edhe më shumë vite lufte përmes mjerimit, dëbimeve dhe miliona vdekjeve.

Trauma e bashkëpunimit gjermano-rus mbi kurrizin e të tjerëve është e pranishme në vendet e prekura. Në Poloni pakti Hitler-Stalin edhe sot e kësaj dite konsiderohet si shembull i marrëveshjeve sekrete të dy fqinjëve të mëdhenj në disavantazh të saj. Në vitin 2006, ish-ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski, linjën gazsjellëse Nord-Stream e krahasoi me paktin Hitler-Stalin-Pakt, gjë që shkaktoi indinjatë tek të dyja palët. Në shkrimin e historisë polake, ky pakt konsiderohet si “ndarja e katërt e vendit – një referim ndaj tri ndarjeve në shekullin XVIII kur Polonia u nda prej Rusisë, Prusisë dhe Austrisë dhe për më shumë se një shekull u fshi nga harta.

Në Luftën e Dytë Botërore, marshimi sovjetik u shoqërua edhe me arrestimin e gati 22 mijë oficerëve dhe policëve polakë, të cilët në pranverën 1940 u ekzekutuan prej shërbimit sekret sovjetik NKWD në Katyn dhe vende të tjera duke u qëlluar me plumb në qafë.

Edhe për Rumaninë pasojat janë ende të mëdha, thotë historiani Popa. Ekzistenca e Republikës së Moldavisë është pasoja direkte e paktit. “Ai s’ishte gjë tjetër veҁse shprehje e totalitarizmit të aplikuar në politikën e jashtme. Ishte një pretendim i qartë pushteti i dy totalitarizmave, komunist dhe atij nacionalsocialist”.

Pakti pati pasoja përtej luftës: Meqenëse BRSS bënte pjesë ndër fuqitë fituese, fuqitë perëndimore nuk mundën ta ndalojnë “që territoret që kishte marrë Bashkimi Sovjetik përmes paktit Hitler-Stalin, në fund të Luftës së Dytë Botërore, të mbeteshin nën BRSS”, thotë historiani Jorg Ganzenmuller. Vetëm në fillim të viteve 1990-të shtetet baltike rifituan pavarësinë e tyre.

Pakti Hitler-Stalin pas luftës për shumë vite u mbulua prej harresës. Në Lindje, gjatë Luftës së Ftohtë, ai u tabuizua. Në Republikën Federale të Gjermanisë nuk luante më asnjë rol në zbardhjen e historisë së pasluftës. Vetëm pas kthesës më 1989, në Evropë ai u risoll në vëmendje në diskutimin publik.

Sidoqoftë, plagët nuk u shëruan. Para dhjetë vjetësh, me rastin e 70-vjetorit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një “letër drejtuar polakëve” e cilësoi paktin si të pamoralshëm. Por, ky deklarim u zhvleftësua po prej tij. Pak muaj më vonë, pas aneksimit rus të Krimesë në Ukrainë, Putin e mbrojti paktin duke argumentuar se nga këndvështrimi i asaj kohe ishte i domosdoshëm.

Kësisoj në Poloni dhe në shtetet baltike sërish shtohet frika se ato mund të bien përsëri viktimë e një politike, përmes së cilës Gjermania dhe Rusia mund të bien dakord mbi kurrizin e këtyre vendeve. Ndërtimi i linjës direkte gazsjellëse Nord Stream 2 nga Rusia përmes Detit Baltik në Gjermani, duke iu shmangur vendeve të transitit është kthyer në një simbol të kësaj frike. Në këtë grindje, Polonia së fundi ka angazhuar në anën e vet ShBA-në, sepse lidhur me këtë çështje ajo e ndjen se fqinjët nuk e vlerësojnë me seriozitet.

“Analogji historike nuk mund të bësh”, thotë studiuesi Ganzenmuller lidhur me këtë. Frika është e ekzagjeruar: “Polonia dhe shtetet baltike janë shumë më pranë Gjermanisë se sa Rusia”. Për këtë flet edhe anëtarësia e përbashkët në BE dhe në NATO. “Megjithatë, politika e jashtme gjermane ndoshta ndjek me pakujdesi interesat e saj në politikën e jashtme, duke mos i marrë në konsideratë këto frikëra dhe me këtë ngjall irritomë”. Ndaj historiani këshillon për qeverinë gjermane, që të marrë më fort parasysh këto shqetësime që burojnë nga e kaluara. /DW/