Pajisja në dukje e padëmshme e kuzhinës mund ta shkurtojë jetën deri në dy vjet

Hulumtimet e reja e lidhin këtë zakon me dëmtime të mushkërive, zemrës dhe ulje të jetëgjatësisë
Ndërsa në shumë familje gatimi me gaz ende konsiderohet një opsion “më i shëndetshëm” dhe më ekonomik, një studim i ri sjell të dhëna shqetësuese: përdorimi i sobave me gaz mund ta shkurtojë jetëgjatësinë pothuajse për dy vjet. Edhe më alarmuese është se ato lidhen me gati 40.000 raste vdekjeje çdo vit në mbarë Evropën.
Në këto përfundime kanë arritur studiuesit pas një studimi të gjerë të realizuar në familje anembanë Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar. Siç raporton The Guardian, problemi qëndron te ndotësit që sobat me gaz lëshojnë në ambiente të mbyllura dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës dhe mushkërive. Numri i vdekjeve që lidhet me këtë ndotje është madje dyfish më i lartë se numri i viktimave nga aksidentet rrugore, transmeton Telegrafi.
Rreziku i padukshëm në kuzhinën tuaj
Ekspertët paralajmërojnë se shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se sa i dëmshëm mund të jetë gatimi me gaz. Sobat me gaz lëshojnë dioksid azoti, një gaz që lidhet me sëmundje kronike të rrugëve të frymëmarrjes, probleme kardiovaskulare dhe infeksione të mushkërive. Në kuadër të studimit është analizuar vetëm ndikimi i dioksidit të azotit, ndërsa gazra të tjerë të rrezikshëm, si monoksidi i karbonit dhe benzeni, janë lënë jashtë analizës, çka do të thotë se rreziku real mund të jetë edhe më i madh.
“Që në vitin 1978 kemi mësuar për herë të parë se ndotja me dyoksid azoti është dukshëm më e lartë në kuzhinat që përdorin soba me gaz, krahasuar me ato që përdorin soba elektrike. Megjithatë, vetëm tani kemi mundur të paraqesim të dhëna konkrete për ndikimin në jetëgjatësinë e njeriut”, ka deklaruar autorja e studimit, Delgado-Saborit.

Sa të përhapura janë në të vërtetë sobat me gaz?
Sipas të dhënave për Bashkimin Evropian, çdo shtëpi e tretë përdor sobë me gaz. Situata është edhe më e theksuar në disa vende të veçanta – në Mbretërinë e Bashkuar, 54 për qind e familjeve përdorin gaz, ndërsa në Itali, Holandë, Rumani dhe Hungari ky përqindje kalon 60 për qind. Pikërisht në këto ambiente ndodh një ekspozim më i madh ndaj substancave të dëmshme që shkaktojnë irritime dhe inflamacione të rrugëve të frymëmarrjes, veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit.
Rezultate të ngjashme edhe në SHBA
Raporti, i mbështetur nga Fondacioni Evropian për Klimën, bazohet në një hulumtim që vitin e kaluar ka matur cilësinë e ajrit në shtëpi, me qëllim të përcaktojë se në çfarë mase gatimi me gaz kontribuon në ndotjen e ajrit të brendshëm. Duke krahasuar ndotjen e ajrit të brendshëm me atë të jashtëm, shkencëtarët kanë arritur në rezultate që përputhen me një studim të realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin maj të këtij viti. Ky studim ka treguar se sobat me gaz dhe propan shkaktojnë deri në 19.000 raste vdekjeje në vit.
Edhe pse sobat me gaz janë konsideruar standard në shumë kuzhina për dekada me radhë, hulumtimet e reja tregojnë qartë se kalimi në alternativa elektrike ose induksioni mund të ketë një ndikim të gjerë, jo vetëm në cilësinë e ajrit në shtëpi, por edhe në gjatësinë dhe cilësinë e jetës. /Telegrafi/




















































