Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka shprehur kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar për mungesë të mbështetjes ndaj punëtorëve të sektorit privat, në kohën kur është realizuar pagesa e 13-të për sektorin publik.

Sipas tij, punëtorët e sektorit privat janë kontribuuesit kryesorë në buxhetin e shtetit dhe, si të tillë, meritojnë trajtim më të barabartë nga institucionet.


“65 milionë euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rroga e 13-të, a më tregon ministri i Financave apo cilido ministër çka kanë bërë për punëtorët të cilët ne na japin rrogat, të cilët paguajnë taksat? Çfarë politike qeverisëse kanë bërë për sektorin privat?”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka theksuar se mungojnë masa konkrete për mbështetjen e bizneseve dhe punëtorëve në sektorin privat, duke përmendur punëtorët në ndërtimtari, tregtinë e vogël dhe ndërmarrësit individualë si kategori të cilat, sipas tij, përballen me vështirësi të vazhdueshme ekonomike.

“Ua dha rrogën e 13-të, askund në botë, as nuk e jep Amerika as Gjermania, ne Kosova vendi më i varfër e dhamë rrogën e 13-të dhe mos të bëjmë asgjë për sektorin privat, për njerëz që janë në punë dhe mezi e lidhin muajin me muaj”, ka shtuar ai.

Tahiri ka kërkuar nga institucionet që të hartojnë politika konkrete për mbështetjen e sektorit privat, duke e cilësuar atë si shtyllë kryesore të ekonomisë në vend.