Struga Trim Lum u paraqit denjësisht ndaj gjigantit rus Rubin Kazan në ndeshjen e dytë kontrolluese në Antalya, por dy gola në pjesën e dytë i sollën humbjen 0:2 skuadrës strugane, njofton Telegrafi.

Pas një jave përgatitjesh intensive, Struga Trim Lum ka zhvilluar sot ndeshjen e dytë kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore që po e zhvillon në Antalya të Turqisë.

Skuadra nënkampioneve esezonit vjeshtor u përball me një nga klubet më të njohura ruse, Rubin Kazan, duke u paraqitur në një nivel mjaft të mirë, megjithatë pa arritur të shmangë humbjen. Ekipi rus shënoi dy gola në pjesën e dytë dhe triumfoi me rezultat 0:2.


Struganët zhvilluan një pjesë të parë shumë të barabartë ndaj kundërshtarit favorit, duke treguar organizim dhe disiplinë në lojë. Pas pushimit, pas shumë zëvendësimeve nga të dyja skuadrat, Rubini arriti të shfrytëzojë rastet e krijuara dhe të sigurojë një fitore të merituar. Golat për skuadrën ruse u realizuan nga Kuznetsov në minutën e 69-të dhe Mukba në minutat e fundit të takimit.

Vlen të theksohet se te Rubin Kazan aktivizohen tre futbollistë shqiptarë: Veldin Hoxha nga Kosova, Mirlind Daku, përfaqësues i Kombëtares shqiptare si dhe Dardan Shabanhaxhaj, i cili posedon pasaportë austriake. Në ndeshjen e sotme ndaj Strugës u aktivizuan vetëm Hoxha dhe Shabanhaxhaj, ndërsa Mirlind Daku nuk ishte as në bankën rezervë.

Kujtojmë se para shtatë ditësh Struga Trim Lum barazoi me Trençinin, ndërsa gjatë qëndrimit në Antalya e presin edhe disa ndeshje të tjera miqësore. /Telegrafi/

telegrafi sport app