OVL e UÇK-së i shkruan letër zyrtare deputetëve, kërkon të iniciohet procedura e shkarkimit të Dimal Bashës

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka shkruar letër zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe shefave të grupeve parlamentare, përmes së cilës kërkuan të iniciohet procedura për shkarkimin e Dimal Bashës, nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
OVL e UÇK në këtë letër kanë shprehur siç thonë “shqetësimin dhe indinjatën e thellë për publikimin e hulumtimeve dhe shkrimeve të bashkautoruara nga Kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës është përshkruar në mënyrë denigruese si 'milici e nëntokës e lidhur me banda kriminale dhe droge'”.
“Ky qëndrim përbën një fyerje të rëndë për luftën tonë çlirimtare, për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit, si dhe për vetë themelet mbi të cilat është ngritur shteti i Kosovës. Një individ që ka mohuar dhe njollosur luftën e UÇK-së nuk gëzon më legjitimitet moral e politik për të përfaqësuar institucionin më të lartë përfaqësues të qytetarëve tanë”, thuhet në letër.
OVL e UÇK u ka bërë thirrje shefave të grupeve parlamentare që të marrin përgjegjësinë politike dhe institucionale për inicimin e procedurës së shkarkimit të Dimal Bashës nga posti i kryetarit të Kuvendit si dhe të veprojnë me urgjencë, duke mos lejuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës të drejtohet nga një person me qëndrime të tilla fyese ndaj UÇK-së dhe historisë sonë të lavdishme.
“OVL-UÇK thekson se kjo kërkesë nuk është thjesht një qëndrim politik, por një obligim ndaj së vërtetës historike dhe sakrificës së popullit të Kosovës për liri. Deputetët e Kuvendit, të zgjedhur nga qytetarët, kanë për detyrë të mbrojnë këtë vlerë dhe të garantojnë që në krye të institucionit më të lartë demokratik të vendit të mos qëndrojë dikush që e ka njollosur luftën çlirimtare”, thuhet në letër. /Telegrafi/











































