Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar lidhur me ekspozitën në sheshin e Prishtinës për masakrat e ndodhura ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1998-1999.

Kjo ekspozitë u largua sot nga ekipet e komunës së Prishtinës pas reagimeve të shumta për pasaktësi në të dhëna dhe përmbajtje.


OVL e UÇK-së këtë ekspozitë e ka quajtur fyerje për gjakun e derdhur për liri.


“Kundërshtojmë me forcë ekspozitën e vendosur në qendër të Prishtinës. Nën maskën e kujtesës, ky instalacion shtrembëron të vërtetën e Luftës Çlirimtare duke fyer gjakun e derdhur për liri. Paraqitja e viktimave civile si ‘persona të armatosur’, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral. Një qasje e tillë është e papranueshme”, thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së tutje thekson se përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë.

“Sidoqoftë, faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm. Përmes tij goditet e vërteta historike dhe poshtërohet dinjiteti i luftës sonë.

Për këto arsye, kërkojmë distancim zyrtar të menjëhershëm nga përmbajtja e asaj 'ekspozite', si dhe llogaridhënie institucionale”, thuhet në reagim. /Telegrafi/