Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Shtetit të Katarit për Kosovën, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari, me të cilin ka diskutuar për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit, u rikonfirmua partneriteti i shkëlqyer mes Kosovës dhe Katarit, ndërsa u diskutuan edhe mundësitë konkrete për rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.


Në qendër të bisedës ishte falënderimi i veçantë i Presidentes Osmani për mbështetjen konkrete të Katarit në sigurimin e protezave për invalidët e luftës. Kjo iniciativë është duke u realizuar përmes përkushtimit të Presidentes dhe bashkëpunimit me institucionet partnere të Katarit.

Presidentja Osmani e cilësoi këtë projekt si një shembull kuptimplotë të solidaritetit dhe humanizmit, që sipas saj, forcon edhe më shumë lidhjet ndërmjet dy popujve.

Të dy palët shprehën vullnetin dhe përkushtimin për të thelluar më tej raportet miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit.