Të dielën me fillim nga ora 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për seancën rreth formimit të qeverisë së re.

Por, se a do të ketë marrëveshje apo jo, kjo mbetet të shihet të dielën.


Për këtë çështje ka folur Presidentja Vjosa Osmani, e cila në një intervistë për Deutsche Welle, ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje për qeveri të re, do t’i ftojë të gjitha partitë për konsultime, nëse ndonjëra mund të krijojë shumicën.

“Rrjedhat politike në Kosovë janë të paparashikueshme mund të ketë marrëveshje në orët e fundit dhe këtë unë nuk mund ta parashikojë, në qoftë se ka marrëveshje mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri – në qoftë se s’ka marrëveshje atëherë si presidente e vendit do t’i ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, po ashtu mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të parakohshme, por është alternativë nëse nuk krijohet shumica”, u shpreh Osmani.

Çfarë thotë praktika e vitit 2020?

Në prill të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i dha mandatin për të formuar Qeverinë e Kosovës Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës - partia e dytë në atë kohë - sepse Vetëvendosja, si fituese e zgjedhjeve, nuk e shfrytëzoi mundësinë kushtetuese për të emëruar kryeministrin.

Atëkohë, Vetëvendosja e pa daljen nga kriza politike - e cila kishte lindur nga vota e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kurtit më pak se dy muaj pasi ishte zgjedhur - në zgjedhje të parakohshme.

Vota e mosbesimit ndaj Kurtit u bë për shkak të pakënaqësisë së partnerëve të tij të koalicionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës me mënyrën se si ai e udhëhoqi vendin gjatë pandemisë COVID-19, si dhe për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA-në.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më pas vendosi që dekreti i presidentit të Kosovës, Thaçi, që emëronte Hotin si mandatar për kryeministër, ishte në përputhje me Kushtetutën.