Osmani mbledh partitë për caktimin e zgjedhjeve - LVV, LDK dhe Nisma konfirmojnë pjesëmarrjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar për të enjten në një takim të përbashkët konsultativ partitë politike parlamentare, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Takimi do të mbahet në orën 10:30, dhe tashmë pranimin e ftesave për këtë takim e kanë konfirmuar pothuajse të gjitha partitë.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, njëherit edhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila tha për Telegrafin se e ka marrë ftesën dhe se do të marr pjesë në takim.
“Po e kam marrë ftesën nga Presidentja dhe do të marrë pjesë në takimin e ftuar”, ka thënë Kusari-Lila.
Telegrafi ka mësuar nga burime se edhe LVV ka pranuar ftesën dhe do të marrë pjesë në takim, mirëpo nuk dihet kush do të jetë në takim.
Ndërkaq në takim nga LDK do të marrë pjesë kryetari i këtij subjekti, Lumir Abixhiku.
“Po na ka ftuar presidentja në takim për caktimin e datës së zgjedhjeve, takimi nis nga ora 10:30 dhe pjesë e tij do të jetë kryetari Abdixhiku”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Ndërkaq edhe nga Nisma Socialdemokrate kanë konfirmuar për Telegrafin se do të marrin pjesë.
“Po kemi pranuar ftesën dhe do të marrë pjesë z.Limaj”, ka thënë Albert Maxhuni nga Nisma.
Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deri në këto momente nuk u janë përgjigjur pyetjes së Telegrafit nëse do të marrin pjesë në takim.
Ky zhvillim vjen pas seancës së sotme në Kuvend, ku i mandatuari i LVV-së për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për të marrë postin e kryeministrit.
Kjo ishte përpjekja e dytë e Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor./Telegrafi/


















































