Organizata "Ec Ma Ndryshe": Ujërat e Kosovës nën presion nga ndotja dhe ndryshimet klimatike

Burimet ujore të Kosovës, ndër më të çmuarat natyrore të vendit, po përballen me presion të madh si nga aktivitetet njerëzore, ashtu edhe nga ndryshimet klimatike.
Raporti i ri i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, me titull “Vlerësimi i Politikave dhe Praktikave për Menaxhimin e Ujërave të Pellgjeve Lumore”, nxjerr në pah sfidat kryesore për menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave dhe ruajtjen e biodiversitetit në vend.
Sipas raportit, menaxhimi i ujërave mbetet i dobët për shkak të mungesës së koordinimit institucional, ndotjes së vazhdueshme, shfrytëzimit të pakontrolluar të burimeve natyrore dhe zbatimit të dobët të ligjeve ekzistuese.
Ndryshimet klimatike, përmbytjet e shpeshta, periudhat e thatësirave dhe rritja e temperaturave po ndikojnë drejtpërdrejt në lumenjtë kryesorë, si Drini i Bardhë, Lumbardhi i Prizrenit dhe Toplluha, duke rrezikuar habitatet dhe speciet ujore.
Raporti nënvizon se aktivitetet njerëzore e kanë përshpejtuar degradimin e ekosistemeve ujore. Ndërtimet pranë shtratit të lumenjve, mbeturinat urbane dhe ato bujqësore kanë bërë që lumenjtë dhe ligatinat të jenë më të brishtë ndaj ndryshimeve klimatike. Ndërhyrjet e papërshtatshme kanë ndikuar në humbjen e habitatit natyror dhe kanë kufizuar aftësinë e ekosistemeve për t’u përshtatur.
Aspekti ligjor dhe institucional mbetet gjithashtu sfidues. Edhe pse ekzistojnë ligje të rëndësishme si Ligji për Ujërat e Kosovës (04/L-147), Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit (03/L-025) dhe Ligji për Mbeturinat (04/L-060), zbatimi i tyre është i pjesshëm, ndërsa koordinimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale është i dobët. Kosova ende nuk ka një sistem të plotë për menaxhimin e integruar të pellgjeve lumore, ashtu si kërkohet nga Direktiva Kornizë e Bashkimit Evropian për Ujërat (2000/60/EC).
Raporti i “Ec Ma Ndryshe” thekson se menaxhimi i ujërave nuk është vetëm çështje mjedisore, por edhe një faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale. Lumenjtë, ligatinat dhe burimet ujore janë pjesë thelbësore e jetës së përditshme të qytetarëve dhe e funksionimit të komuniteteve. Vetëm përmes menaxhimit të qëndrueshëm dhe zbatimit të përgjegjshëm të ligjeve mund të sigurohet që këto ekosisteme të mbeten të gjalla, të pastra dhe të mbrojtura për brezat e ardhshëm.
Raporti i plotë i EC Ma Ndryshe mund të gjendet këtu. /Telegrafi/

















































