Opozita shqiptare me protestë kombëtare para Kryeministrisë

Ka nisur rreth 20 minuta më vonë se orari i lajmëruar protesta e Partisë Demokratike para Kryeministrisë.
Kryedemokrati Sali Berisha i është bashkuar mbështetësve të mbledhur në bulevard duke ecur në këmbë nga selia e PD, i shoqëruar nga nënkryetarët Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi.
1400 forca policie janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen e protestën së opozitës, për të cilën është lajmëruar vetëm orari i nisjes, ora 18:00 ndërsa nuk dihet sa do të zgjasë.
Policia ka njoftuar se për shkak të protestës e cila nis në orën 18:00 do të ketë kufizime në disa rrugë.
Sipas njoftimit parkimi në disa rrugë nuk do të lejohet që nga ora 14:00. Përkatësisht nuk lejohet parkimi në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Gjithashtu nga ora 14:00 do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Më herë ambasada amerikane përmes një njoftimi të shpërndarë ka këshilluar personelin e saj të shmangë protestën.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet të hënën, më 22 dhjetor 2025, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej./Euronews Albania

















































