Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po vijon me intensitet operacionin “Siguria Detare”, përmes monitorimeve dhe kontrolleve në hapësirat detare, liqenore dhe lumore, me synim rritjen e sigurisë së pushuesve.

Sipas njoftimit, gjatë javës së fundit nga Koman në Ksamil janë kontrolluar gjithsej 414 mjete lundruese, prej të cilave 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme: 16 jet ski, 4 skafe, 3 gomone, 3 varka metalike me motor uji.


Policia njofton se 11 mjete lundruese janë kapur duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë gjobitur me nga 100 mijë lekë secili.

Po ashtu, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, janë shpëtuar në det 28 persona (shqiptarë dhe të huaj), si dhe janë ndihmuar 9 mjete lundruese në vështirësi.

Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të respektojnë rregullat e lundrimit:

Të mos shkelin perimetrin e sigurisë

Të lundrojnë vetëm në zonat e lejuara

Të pajisen me mjetet e nevojshme të shpëtimit

Policia e Shtetit apelon gjithashtu që çdo shkelje e rregullave të denoncohet në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe marrjen e masave konkrete ndaj shkelësve.