Nga 1.7 milionë turistë të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të kaluar pushimet verore në korrik, vetëm 236 mijë u akomoduan në hotelet apo bujtinat e vendit, thënë ndryshe, rreth 14 për qind e tyre.
Interesi i të huajve tranzit për të vizituar vendin ka qenë më i lartë në këtë periudhë të vitit sesa turistët që qëndrojnë për më shumë se 1 ditë në Shqipëri.
Ky numër i ulët i turistëve i regjistruar në strukturat hoteliere lidhet edhe me informalitetin në këtë sektor. Disa struktura nuk janë të regjistruara por ka edhe biznese që nuk presin fatura për dhomat që lëshojnë.
“Duke qenë se ka pasur një prurje të madhe të numrit të turistëve, janë detyruar ta shtyjnë dhe në shtator apo maj. Nga viti në vit kemi një ndryshim”, tha Frenkli Prengaj, administrator i “Discover Albania”.
Akomodimi në strukturat shqiptare i turistëve vendas por dhe të huaj, sipas Institutit të Statistikave u rrit me 48.2 për qind në muajin korrik. Duke u ndalur tek qytetet, Tirana dhe Durrësi ishin dhe më të frekuentuarat, të cilat krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë regjistruan një rritje me 70.5 për qind. Ndërsa në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 24.5 për qind.
Sa i takon shtetësisë, shqiptarët e Kosovës mbeten më besnikët. I lartë ka qenë numri i turistëve polakë, gjermanë dhe nga Maqedonia e Veriut. /Telegrafi/