Nuk është as Juventusi e as Milani, Robert Lewandowski zbulon skuadrën e vetme italiane që e kontaktoi
Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, i cili së fundmi është lidhur me transferime të mundshme te Juventusi dhe Milani, ka zbuluar se Genoa është skuadra e vetme nga Serie A që ka qenë ndonjëherë pranë arritjes së një marrëveshjeje me të.
Lewandowski do të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit dhe sipas raportimeve të fundit në Itali, ai është në radarin e Milanit dhe Juventusit.
Ish-sulmuesi i Bayern Munich dhe Borussia Dortmund dha një intervistë për “Sportweek”, ku foli për lidhjet e mëparshme me klubet italiane dhe për mendimin e tij rreth futbollit italian.
Lewandowski këmbënguli se nuk ka marrë ende asnjë vendim për të ardhmen e tij pas sezonit aktual, pavarësisht spekulimeve për një kalim të mundshëm në Serie A.
“Sinqerisht, sot nuk ka asgjë për të thënë. Dhe po e them me ndershmëri”.
“Qëllimi është të arrij deri në fund të sezonit me sa më shumë fitore, gola dhe trofe, pastaj do të shohim. Nuk po mendoj për këtë dhe nuk kam marrë një vendim. Nuk është një prioritet për momentin”.

Sulmuesi polak zbuloi gjithashtu se vetëm një herë ka qenë afër transferimit në Serie A, dhe kjo ka ndodhur në vitin 2010, përpara se të bashkohej me Borussia Dortmund.
“Në vitin 2010 isha ende në Poloni dhe isha pranë kalimit te Borussia Dortmund. Genoa donte të më transferonte, kështu që më ftuan të shikoja një ndeshje kundër Sampdorias”.
“Isha kurioz të shihja si ishte klubi, stadiumi, atmosfera, dhe gjithashtu për të respektuar ata që kishin shfaqur interes për mua. Shkova të shikoja derbin në Marassi. Ishte hera e vetme që kam pasur kontakte me një klub italian”.
Lewandowski u pyet edhe për mendimin e tij mbi gjendjen e futbollit italian në vitin 2026.
“Mendoj se liga italiane është shumë konkurruese. Zakonisht është një garë e fortë dhe nuk fiton gjithmonë e njëjta skuadër”.
“Skuadra si Juventusi dhe Interi kanë arritur në finalet e Ligës së Kampionëve në vitet e fundit, kështu që nuk duket se është në krizë, nëse më pyesni mua”./Telegrafi/



























