Njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” ndalon operimin, KEK: Ndërhyrja për të shmangur ndonjë defekt me përmasa më të mëdha

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” do të ndalojë operimin më 14 gusht, rreth orës 23:59, për shkak të nevojës për ndërhyrje në elektrofilter dhe disa sanime të tjera të domosdoshme.
Sipas KEK-ut, pas mbi 50 ditësh operimi pa ndërprerje, është e domosdoshme ndalimi i njësisë për arsye tekniko-teknologjike dhe mjedisore, me qëllim mbrojtjen e pajisjeve nga dëmtimet e mundshme dhe parandalimin e defekteve më të mëdha që mund të ndikojnë në operim dhe mjedis.
"Ndalja planifikohet të realizohet për të mbrojtur pajisjet dhe teknologjinë nga dëmtime të mundshme dhe për të shmangur ndonjë defekt me përmasa më të mëdha, që do të kishte ndikim në operim dhe mjedis", ka njoftuar KEK.
Nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e kësaj ndërprerjeje, por KEK-u ka theksuar se do të punojë për rikthimin sa më të shpejtë të njësisë në operim, duke synuar edhe përmirësime në aspektin mjedisor.
Njësia B1, së bashku me bllokun 2 të “Kosova B”-së, gjenerojnë zakonisht rreth 60% të prodhimit të energjisë elektrike në vend. Kjo njësi ishte ndalur edhe në fund të muajit qershor.


















































