Një person është plagosur me armë zjarri gjatë ditës së sotme në fshatin Sharban të Prishtinës.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.


Sipas Pllanës, rreth orës 14:30 policia ka pranuar informacionin për të shtënat, pas së cilës njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë vend është plagosur një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor”, ka deklaruar Pllana.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.