NISMA e PDK, Izmaku: Nuk ka marrëveshje për bashkim, NISMA do të ecë përpara e pavarur nën lidershipin e Limajt

Xhevahire Izmaku nga Nisma Socialdemokrate ka thënë sot se nuk ka marrëveshje bashkimi me Partinë Demokratike të Kosovës dhe se Nisma do të ecë e pavarur.
Izmaku në një postim në Facebook shkruan se Nisma vazhdon rrugën me kryetarin e tyre, Fatmir Limaj.
Lexoni të plotë postimin:
Të dashur qytetarë, anëtarë, simpatizantë, votues dhe aktivistë të NISMA Socialdemokrate të Republikës së Kosovës,
Shumë prej jush më keni shkruar ditëve të fundit, duke pyetur për një bashkim të mundshëm me subjektin me të cilin kemi ndarë vlera të përbashkëta ndër vite.
Sot dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi.
Por një gjë mbetet e pathyeshme:
Nisma do të ecë përpara, e pavarur, e përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt.
Ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë vendit me vlera që i përgjigjen realisht nevojave të qytetarëve.
Për ne, politika nuk është krenari e tepruar, as arrogancë;
politika është përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm.
Ky është momenti ynë për t’u mobilizuar, për të qëndruar bashkë dhe për t’i treguar vendit se ka forcë politike që punon me dinjitet, me sinqeritet dhe me vizion të qartë.
Gara fillon.
Nisma vazhdon rrugën me ju nën udhëheqjen e dëshmuar të liderit tonë Fatmir Limaj!
Na priftë e mbara!. /Telegrafi/


















































